Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Lajme

AKSK zhvillon Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, në fokus forcimi i linjës së parë të mbrojtjes

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) organizoi më 3 nëntor 2026, në Tiranë, Konferencën Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, me temë “Rritja e Qëndrueshmërisë Kibernetike: Forcimi i Linjës së Parë të Mbrojtjes”. Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve shtetërore, operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, partnerëve ndërkombëtarë, sektorit privat dhe akademisë, për të diskutuar mbi kërcënimet kibernetike dhe përgatitjen e vendit për t’i përballuar ato.

Në hapje të konferencës, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Bledar Kazia, vuri në qendër të fjalës së tij rolin e profesionistëve që kujdesen çdo ditë për sigurinë e sistemeve dhe vazhdimësinë e shërbimeve. Ai theksoi se administratorët e sistemeve, ekspertët e sigurisë dhe specialistët IT përbëjnë linjën e parë të mbrojtjes, ndërsa forcimi i sigurisë kibernetike kërkon përgjegjësi dhe angazhim të përbashkët.

“Sigurinë kibernetike nuk e ndërton dot një autoritet i vetëm, as AKSK-ja. Ne jemi në pjesën koordinatore, por pjesa më e madhe e punës së përditshme ju përket ju”, u shpreh z. Kazia.

Drejtori i Përgjithshëm evidentoi sfidat që sjell përdorimi i inteligjencës artificiale për zhvillimin e sulmeve dhe manipulimin e informacionit, si dhe angazhimin e Autoritetit për forcimin e kapaciteteve teknologjike e njerëzore, ngritjen e CSIRT-eve sektoriale dhe trajnimin e aktorëve të ekosistemit. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen e SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe partnerëve të tjerë në përmirësimin e aftësive mbrojtëse dhe reaguese të Shqipërisë.

Zëvendëskryeministrja, znj. Albana Koçiu, theksoi se siguria kibernetike lidhet drejtpërdrejt me funksionimin e shtetit, sigurinë e qytetarëve dhe besimin publik. Duke iu referuar pothuajse 32 milionë tentativave për sulme kibernetike gjatë nëntë muajve të parë të vitit, ajo nënvizoi nevojën për investime të vazhdueshme, identifikimin e dobësive dhe shkëmbimin e informacionit përpara se kërcënimet të shndërrohen në kriza. Znj. Koçiu rikonfirmoi mbështetjen e Qeverisë Shqiptare për forcimin e kapaciteteve dhe përafrimin me standardet e Bashkimit Evropian.

“Suksesi ynë nuk do të matet vetëm me numrin e sulmeve që kemi ndalur, por edhe me shërbimet që nuk janë ndërprerë, me të dhënat që kemi mbrojtur dhe me besimin që kemi ruajtur”, u shpreh ajo.

Zëvendësambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. André Rizzo, vlerësoi vendosjen e sigurisë kibernetike në qendër të agjendës së reformave të vendit. Ai theksoi mbështetjen e BE-së për ngritjen e kapaciteteve, përafrimin e legjislacionit dhe bashkëpunimin me institucionet evropiane e partnerët rajonalë, duke nënvizuar se qëndrueshmëria kibernetike e Shqipërisë kontribuon në sigurinë e Evropës në tërësi.

Programi i konferencës u përqendrua në tri çështje kryesore: zhvillimin e kërcënimeve kibernetike dhe ndikimin e teknologjive të reja; gatishmërinë reale të operatorëve përtej përmbushjes së kërkesave ligjore; si dhe kapërcimin e mungesës së specialistëve të kualifikuar. Këto tema sollën në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit ndërsektorial, zhvillimit të kapaciteteve dhe garantimit të vazhdimësisë së shërbimeve gjatë incidenteve.

Pjesë e programit ishte edhe një demonstrim praktik nga ekspertët e AKSK-së mbi përshkallëzimin e një incidenti kibernetik, nga zbulimi fillestar te koordinimi, vendimmarrja dhe rikuperimi i shërbimeve.

Përmes kësaj konference, AKSK synon të forcojë bashkëpunimin me operatorët dhe institucionet përgjegjëse, duke e lidhur zbatimin e kërkesave të sigurisë me aftësinë konkrete për të parandaluar, përballuar dhe menaxhuar incidentet kibernetike.

Për të parë konferencën e plotë: https://www.youtube.com/live/CU1ygnf3cfQ?si=XmKFGWBCgr7jgNcX

Shpërndaj Postimin