Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) informon se gjatë mëngjesit të sotëm, më 9 tetor 2026, disa institucione të administratës publike qendrore dhe vendore kanë marrë emaile me përmbajtje kërcënuese. Pas analizës së kryer nga strukturat teknike të AKSK-së, në koordinim me Policinë e Shtetit, nuk rezulton të ketë rrezik për sigurinë e personave apo të infrastrukturës së institucioneve.
Mesazhet janë pjesë e një fushate të koordinuar, e cila ndjek një model të evidentuar edhe në të kaluarën dhe synon përhapjen e dizinformimit dhe shkaktimin e kaosit. Shpërndarja kryhet masivisht drejt adresave elektronike të publikuara në faqet zyrtare të institucioneve dhe në burime të tjera online. Përdorimi i këtyre adresave nuk nënkupton akses në sistemet apo llogaritë institucionale.
AKSK u rekomandon marrësve:
* Të mos u përgjigjen emaileve dhe të mos i përcjellin te persona të tjerë brenda apo jashtë institucionit.
* Të mos hapin lidhje ose bashkëngjitje, nëse ka të tilla.
* Të mos kryejnë asnjë veprim të kërkuar në mesazhe.
Situata është nën kontroll dhe, bazuar në vlerësimin e kryer, nuk ka arsye për shqetësim.
