Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është këtë vit Partner Platinum i Future2Tech, një nga hapësirat ku teknologjia, inovacioni, biznesi, institucionet dhe të rinjtë takohen për të diskutuar zhvillimet që po formësojnë të ardhmen digjitale.
Panairi nisi sot në Pallatin e Kongreseve me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve publike, sektorit privat, komunitetit teknologjik, sipërmarrësve, profesionistëve dhe studentëve, në një program që përgjatë dy ditëve sjell diskutime, prezantime dhe aktivitete të fokusuara te inovacioni dhe transformimi teknologjik.
Në fjalën e tij në hapje, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, theksoi se ritmi i zhvillimit teknologjik të Shqipërisë duhet të shoqërohet në të njëjtën kohë me forcimin e sigurisë kibernetike, kapaciteteve teknologjike dhe burimeve njerëzore. Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit mes institucioneve, biznesit dhe profesionistëve të rinj për të ndërtuar një ekosistem digjital më të sigurt dhe të qëndrueshëm.
Ky mesazh vijoi edhe në panelin “Innovation for a Safer, Sustainable and Resilient Future”, ku z. Kazia diskutoi mbi sigurinë dhe reziliencën e infrastrukturave digjitale, si elemente që sot lidhen drejtpërdrejt me vazhdimësinë e shërbimeve, ekonominë dhe besimin në transformimin digjital.
Na vizitoni në Pallatin e Kongreseve, njihuni nga afër me punën dhe iniciativat tona dhe na ndiqni për aktivitetet që vijojnë gjatë këtyre dy ditëve.

