Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, organizoi trajnimin “Prindërimi në Epokën Digjitale: Çfarë fshihet pas ekranit të fëmijës tënd?”, me pjesëmarrjen hibride të mbi 1,000 prindërve. Trajnimi synoi t’i ndihmonte prindërit të kuptojnë më mirë rreziqet në internet dhe të mbështesin fëmijët në përdorimin e sigurt të teknologjisë.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, theksoi se mbrojtja e fëmijëve online nis nga një marrëdhënie besimi me prindërit, ku mbikëqyrja shoqërohet me këshillim dhe fëmijët ndihen të lirë të tregojnë çfarë i shqetëson. Ai nënvizoi rëndësinë e edukimit të hershëm për sigurinë digjitale, përmes përfshirjes së sigurisë kibernetike në klasat e para, të gjashta dhe të dhjeta, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, si dhe vijimit të trajnimeve për prindërit, mësuesit dhe fëmijët.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu nënvizoi se teknologjia duhet t’u shërbejë fëmijëve për të mësuar, krijuar dhe komunikuar, duke ruajtur sigurinë dhe mirëqenien e tyre. Ajo theksoi se përgjegjësia e përbashkët është t’i përgatisim fëmijët për të ardhmen dhe t’u japim prindërve njohuritë e mjetet e nevojshme për t’i mbrojtur.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, vuri theksin te partneriteti shkollë–familje dhe përfshirja aktive e prindërve në edukimin e fëmijëve, duke u ndalur te programi pas shkolle dhe “Çanta e prindit”.
Në aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve. Gjatë trajnimit u dhanë orientime praktike për njohjen e rreziqeve online, reagimin ndaj përmbajtjeve dhe kontakteve të papërshtatshme, si dhe komunikimin me fëmijët për shqetësimet që hasin në internet.

