Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi Takimin e Dytë Konsultativ me organizatat e shoqërisë civile (OJQ), me fokus “Nxitjen e përfshirjes së vajzave dhe grave në ICT”, duke sjellë së bashku aktorë nga institucionet publike, sektori privat, akademia dhe partnerë ndërkombëtarë.
Takimi u fokusua në analizimin e panoramës aktuale të përfshirjes së vajzave dhe grave në ICT dhe sigurinë kibernetike, duke evidentuar sfidat dhe boshllëqet ekzistuese, si dhe në identifikimin e masave konkrete për rritjen e aksesit, angazhimit dhe zhvillimit të tyre në këtë fushë. Diskutimet trajtuan gjithashtu rolin e organizatave dhe sektorit privat në krijimin e mundësive për trajnim, mentorim dhe punësim, si dhe nevojën për iniciativa të përbashkëta që mbështesin karrierat e vajzave në teknologji .
Një ndër pikat kryesore ishte prezantimi i aktivitetit ndërkombëtar “Global Girls in ICT Day 2026”, që do të zhvillohet më 23 prill, duke theksuar rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të rritur pjesëmarrjen e vajzave në fushat digjitale dhe të sigurisë kibernetike.
Ky aktivitet vjen në vijim të angazhimeve të AKSK në kuadër të Strategjisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2025–2030, për të kontribuar në ndërtimin e një ekosistemi digjital më të sigurt, gjithëpërfshirës dhe të orientuar drejt barazisë gjinore.
