Në një botë ku fëmijët ndërveprojnë gjithnjë e më shumë në mjedisin digjital, siguria e tyre online mbetet një prioritet i përbashkët.
Në këtë kuadër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një takim ndërgjegjësues në shkollën “Klodian Tanushi” në Tiranë, me nxënësit e kësaj shkolle, duke krijuar një hapësirë të hapur diskutimi mbi sfidat dhe rreziqet që mund të hasen në internet. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe punonjës të mbrojtjes së fëmijëve, përfaqësues nga ASHDMF, si dhe psikologia e shkollës, duke sjellë një qasje të plotë që lidh sigurinë digjitale me mirëqenien emocionale dhe mbështetjen institucionale.
Gjatë sesionit u prezantuan situata konkrete që fëmijët mund të hasin online, duke u ndalur te rreziqe si bullizmi në internet, kontaktet e panjohura, shpërndarja e informacionit personal dhe përmbajtjet e papërshtatshme. Nxënësit u njohën me mënyrat se si të identifikojnë këto rreziqe, si të reagojnë në kohë dhe ku të drejtohen për ndihmë, duke theksuar rëndësinë e komunikimit me prindërit, mësuesit dhe raportimit në strukturat përkatëse.
Ky takim vjen në vijim të një serie aktivitetesh të ndërmarra për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve, me synimin për të ndërtuar një kulturë të qëndrueshme sigurie në mjedisin digjital.
