Shqipëria është përzgjedhur për të organizuar aktivitetin ndërkombëtar International Girls in ICT Day 2026, një iniciativë globale e International Telecommunication Union (ITU), që synon promovimin e përfshirjes së vajzave dhe grave në teknologji dhe komunikim.
Në këtë kuadër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me ITU, po zhvillon në Tiranë aktivitetin me temë “AI për Zhvillim: Vajzat që Formësojnë të Ardhmen Digjitale”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, organizatave partnere dhe komunitetit akademik.
Gjatë ceremonisë së hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, u ndal te roli thelbësor i kapitalit njerëzor në epokën digjitale, duke theksuar se siguria nuk është thjesht funksion i teknologjisë, por rezultat i njerëzve që e udhëheqin atë. Ai theksoi se një ekosistem që nuk përfshin plotësisht vajzat dhe gratë e reja mbetet thelbësisht i paplotë dhe, për rrjedhojë, më pak i sigurt, ndërsa përfshirja përbën një kusht për qëndrueshmëri, inovacion dhe siguri reale.
Në të njëjtën linjë, Zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, znj. Albana Koçiu, theksoi se progresi i vërtetë në epokën digjitale nuk është thjesht çështje algoritmesh, por mbi të gjitha çështje aksesi dhe mundësish të barabarta. Ajo vuri në dukje se Shqipëria po përparon me ritme të shpejta në transformimin digjital dhe, përmes vizionit Shqipëria 2030 dhe zbatimit të Agjendës Digjitale 2022–2026, po vendos vajzat në qendër të këtij transformimi, duke garantuar akses dhe përfitim të barabartë, duke rritur përfshirjen në STEM dhe duke investuar në aftësi digjitale.
Ajo shtoi se suksesi i këtij progresi pasqyrohet edhe në arritjet e vajzave dhe grave shqiptare në arenën ndërkombëtare, duke përmendur figura të spikatura si Mira Murati, dhe theksoi angazhimin për të krijuar më shumë hapësira dhe mundësi për çdo vajzë që aspiron të udhëheqë industritë e së ardhmes.
Nga ana e tij, Drejtori i Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit në ITU, Dr. Cosmas Luckyson Zavazava, theksoi se revolucioni i katërt industrial është tashmë një realitet dhe se zgjedhja qëndron mes të qenit pasagjerë në këtë proces apo kontribuues aktivë në ndërtimin e tij. Ai nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të vajzave për të qenë pjesë aktive e këtij zhvillimi, duke theksuar se kur vajzat formësojnë të ardhmen digjitale, ndikimi i tyre shkon përtej teknologjisë dhe transformon vetë shoqërinë.
Aktiviteti po zhvillohet si pjesë e festimeve ndërkombëtare të këtij viti, të cilat organizohen nga Shqipëria në bashkëpunim me Brazilin, duke reflektuar dimensionin global të kësaj iniciative dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Programi përfshin diskutime të nivelit të lartë mbi inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe përfshirjen gjinore në teknologji, si dhe një sesion ndërkombëtar hibrid Shqipëri – Brazil.
