Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me International Finance Corporation (IFC), anëtar i Grupit të Bankës Botërore, organizoi eventin “The Future of Cybersecurity in the Financial Sector”, duke mbledhur përfaqësues të institucioneve kryesore financiare në Shqipëri. Aktiviteti u fokusua në sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital i sektorit financiar, si dhe në forcimin e kapaciteteve për t’u përballur me kërcënimet kibernetike në rritje.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Igli Tafa, theksoi se siguria kibernetike është baza e stabilitetit financiar dhe se vetëm përmes bashkëpunimit të ngushtë mes qeverisë, sektorit bankar dhe partnerëve ndërkombëtarë mund të ndërtohet një ekosistem i qëndrueshëm dhe i sigurt. Ai ndau vizionin e Qeverisë Shqiptare drejt një ekonomie digjitale të avancuar, duke vënë theksin te standardet DORA, iniciativat Financial SOC, identifikimi elektronik, integrimi i Blockchain dhe përgatitja ndaj kërcënimeve kuantike — elemente që do të formësojnë shtresën e re të mbrojtjes për sektorin financiar në vitet në vijim.
Eventi përfundoi me një Tabletop Exercise (TTX) mbi “Cyber Resilience and Information Sharing”, ku pjesëmarrësit testuan gatishmërinë dhe koordinimin ndaj skenarëve të avancuar të sulmeve, duke ndarë praktikat më të mira për rritjen e reziliencës dhe shkëmbimin efektiv të informacionit.

