Software Engineering Institute (SEI) i Carnegie Mellon University, në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe AKSK, zhvilloi këtë javë një trajnim pesëditor të dedikuar për stafin e AKSK, AKSHI dhe institucionet e vendit tonë që janë pjesë e procesit të vlerësimit të riskut. Programi u fokusua në aftësimin e pjesëmarrësve për të kuptuar, analizuar dhe përdorur rezultatet e vlerësimeve të sigurisë kibernetike, me synimin për të identifikuar risqet kritike dhe për të zbatuar kontrollet e nevojshme të sigurisë.
Në hapje të aktivitetit, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, vlerësoi mbështetjen e Departamentit të Shtetit të SHBA-së dhe bashkëpunimin me SEI, duke theksuar rolin e tyre në rritjen e kapaciteteve teknike dhe në krijimin e një qasjeje më proaktive ndaj menaxhimit të riskut. Ai nënvizoi se rezultatet e këtyre vlerësimeve u japin institucioneve një pasqyrë të qartë të nivelit të riskut dhe hapave që duhet të ndërmerren për të rritur sigurinë e tyre.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit punuan me module të ndërtuara mbi qasjet e vlerësimit të sigurisë, përcaktimin e objektivave të vlerësimit, përdorimin e standardeve dhe teknikave të duhura, interpretimin e rezultateve dhe kuptimin e roleve institucionale në zbatimin e kontrolleve. Programi përfundoi me prezantimin e rekomandimeve të cilat do t’i ndihmojnë institucionet të përfitojnë plotësisht nga vlerësimet dhe të forcojnë proceset e tyre të sigurisë.
