Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me Agjencinë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, organizoi një trajnim për punonjës të mbrojtjes së fëmijës, me fokus te siguria e fëmijëve gjatë përdorimit të internetit.
Gjatë aktivitetit u trajtuan sfidat kryesore me të cilat përballen fëmijët online, nga përmbajtjet e dëmshme dhe rreziqet për privatësinë, deri te rastet e abuzimit seksual në internet, si dhe mënyrat praktike për t’i identifikuar, raportuar dhe referuar ato në mënyrë të sigurt dhe efikase.
Qëllimi i trajnimit ishte forcimi i aftësive të profesionistëve që punojnë çdo ditë me fëmijët, duke krijuar një qasje më të koordinuar ndërmjet strukturave përgjegjëse dhe duke siguruar reagim më të shpejtë ndaj rasteve që kërkojnë ndërhyrje.
Me këtë nismë, AKSK vijon të kontribuojë në ndërtimin e një mjedisi digjital ku fëmijët të jenë më të mbrojtur dhe institucionet më të përgatitura për t’u përballur me rreziqet që sjell interneti.
