Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Igli Tafa, mori pjesë në Konferencën e Ambasadorëve “Diplo 2024”, ku drejtoi panelin “Sfidat e reja të politikave të sigurisë, kufijtë e kërcënimeve kibernetike, keqinformimit dhe dezinformimit.” Paneli përfshiu ekspertë dhe zyrtarë të lartë, të cilët diskutuan rreth sfidave komplekse që paraqet keqinformimi dhe dezinformimi në botën digjitale, si dhe masat që duhen ndërmarrë për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe globale.
Në fjalën e tij, z. Tafa theksoi se keqinformimi është kthyer në një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë dhe stabilitetin e vendeve, pasi përdoret për të manipuluar opinionin publik dhe për të minuar besimin në institucione. Ai bëri thirrje për forcimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike, rritjen e edukimit të publikut për të njohur dhe kundërshtuar keqinformimin, promovimin e verifikimit të informacionit, si dhe për një bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar që synon mbrojtjen e integritetit të informacionit dhe garantimin e një të ardhme të sigurt për të gjithë.
Diskutimet në konferencë nënvizuan nevojën për krijimin e strategjive të reja dhe inovativepër të adresuar sfidat e vazhdueshme në fushën e sigurisë kibernetike, duke u fokusuar në forcimin e bashkëpunimit global dhe rritjen e ndërgjegjësimit të shoqërive për t’u mbrojtur nga kërcënimet e reja kibernetike.