Studentë nga Lynn University (Florida),, Université Sorbonne Paris Nord dhe Kauno Kolegija në kuadër të “International Weeks” të organizuar nga Departamenti i Informatikës në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës, zhvilluan një vizitë studimore pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.
Gjatë vizitës, studentët u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, i cili vuri në dukje rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në fushën e sigurisë kibernetike dhe rolin që kanë iniciativat ndërkombëtare në ndërtimin e kapaciteteve dhe shkëmbimin e njohurive.
Në vijim, stafi i AKSK-së prezantoi aktivitetin e institucionit, duke u ndalur në mënyrën se si realizohet monitorimi i hapësirës kibernetike, analizimi dhe menaxhimi i incidenteve, si dhe koordinimi me institucionet e tjera për garantimin e sigurisë së sistemeve digjitale. Vizita shërbeu si një mundësi për të njohur nga afër funksionimin e strukturave të sigurisë kibernetike dhe për të krijuar një lidhje më të drejtpërdrejtë mes aspektit akademik dhe praktikës institucionale.
