Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike organizoi një workshop mbi sigurinë kibernetike në rrjetin 5G, si pjesë e strategjisë së tij të vazhdueshme për krijimin e një mjedisi më të sigurt digjital në Shqipëri dhe rajon.
Gjatë workshop-it u trajtuan tema kyçe si implementimi i kornizës rregullatore e evropiane dhe asaj shqiptare për teknologjinë 5G, masat konkrete për reagimin efektiv ndaj incidenteve dhe përdorimi praktik i instrumentit “5G Toolbox”.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit konkret dhe praktik mes kompanive të telekomunikacionit dhe AKSK-së, duke e konsideruar atë si një përfitim të ndërsjellë dhe strategjik. Ai nënvizoi domosdoshmërinë e përfshirjes së kompanive të telekomunikacionit në infrastrukturën kritike dhe respektimit të standardeve të përcaktuara nga autoriteti. “Është koha që të krijojmë ura të qëndrueshme bashkëpunimi për të garantuar një mjedis të sigurt digjital për Shqipërinë dhe rajonin,” theksoi z. Tafa. Ai shtoi gjithashtu se siguria kibernetike është një fushë ku askush nuk mund të qëndrojë i izoluar dhe se është e domosdoshme të bashkëpunohet për të siguruar jo vetëm ambientin tonë, por gjithë komunitetin, qytetin dhe shtetin në tërësi.
Workshop-i u pasurua nga ekspertë ndërkombëtarë nga Estonia dhe Republika Çeke, si dhe ekspertë vendas, të cilët sollën përvoja dhe perspektiva të vlefshme për forcimin e kapaciteteve lokale.
AKSK falënderon Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE), Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), si dhe projektin Cyber Balkans të financuar nga Bashkimi Europian për bashkëpunimin dhe mbështetjen e tyre në realizimin e këtij aktiviteti.











