Të rinjtë e Ballkanit Perëndimor bashkohen në sfidën CTF të WBCC 2026

Gara Capture The Flag (CTF) ishte në qendër të Western Balkans Cyber Camp 2026, edicioni i tretë i kampit rajonal të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), duke bashkuar talente të reja të sigurisë kibernetike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnja & Hercegovina.

Pjesëmarrësit u organizuan në ekipe të përziera rajonale, ku secili grup përfshinte nga një përfaqësues nga çdo shtet i Ballkanit Perëndimor pjesëmarrës në kamp. Gjatë garës, ekipet bashkëpunuan për të zgjidhur sfida të sigurisë kibernetike, për të analizuar skenarë teknikë, për të identifikuar dobësi dhe për t’iu përgjigjur detyrave në kohë reale, në një mjedis interaktiv të fokusuar te puna në grup dhe bashkëpunimi.

Gjatë zhvillimit të CTF-së, pjesëmarrësit u mbështetën nga ekspertë të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), përfaqësues të akademisë, anëtarë të ekipeve kombëtare CIRT nga rajoni, si dhe alumni të edicionit të kaluar të Western Balkans Cyber Camp.

Më shumë se një garë, CTF-ja pasqyroi qëllimin kryesor të kampit: forcimin e bashkëpunimit rajonal, lidhjen e gjeneratës së ardhshme të profesionistëve të sigurisë kibernetike dhe krijimin e urave të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërkufitar brenda komunitetit kibernetik të Ballkanit Perëndimor.

AKSK shpreh mirënjohjen e sinqertë ndaj GIZ, Western Balkans Cyber Capacity Center (WB3C), Regional Cooperation Council (RCC) dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri për mbështetjen dhe kontributin e tyre të vlefshëm në organizimin me sukses të Western Balkans Cyber Camp 2026.

Siguria Kibernetike, Inteligjenca Artificiale dhe Bashkëpunimi Rajonal në Fokus të Diskutimeve në Western Balkans Cyber Camp 2026