Në përmbyllje të projektit “Cyber Security Rapid Response”, kishim kënaqësinë të mirëprisnim në ambientet e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato.
Ambasadori u prit nga Drejtori i AKSK, z. Igli Tafa, me të cilin ndanë një bisedë mbi rrugëtimin dyvjeçar të këtij projekti dhe mbi sfidat e përbashkëta të sigurisë kibernetike.
Projekti, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga “e-Governance Academy” i Estonisë, ka kontribuar në forcimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike dhe përgatitjen e institucioneve për t’u përballur me kërcënimet digjitale në mënyrë më të qëndrueshme dhe të koordinuar.
“Projekti ka kontribuar ndjeshëm jo vetëm për sektorin publik dhe privat, por edhe për përfshirjen e universiteteve dhe mbi 2000 studentëve në ndërtimin e kapaciteteve të reja në këtë fushë,” u shpreh z. Tafa, duke falënderuar Bashkimin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme.
“Siguria kibernetike është një ndër prioritetet kryesore të BE-së. Partneriteti ynë me Shqipërinë po forcon qëndrueshmërinë rajonale, kapacitetet teknike dhe bashkëpunimin në një moment kyç,” theksoi Ambasadori Gonzato.
Vizita u përmbyll me një takim të përbashkët ndërmjet përfaqësuesve të AKSK dhe AKSHI, ku u diskutua nevoja për të thelluar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta drejt forcimit të sigurisë digjitale në vend, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.





