Në kuadër të zhvillimeve aktuale në fushën e sigurisë kibernetike, Drejtori i Përgjithshëm i AKCESK z. Igli Tafa, më datë 23 nëntor 2022, zhvilloi takimin me temë “Siguria kibernetike në sektorin bankar”.
Në këtë takim morën pjesë drejtuesit më të lartë të sigurisë në këtë sektor.
Z. Tafa, shpalosi vizionin e ri të AKCESK nën drejtimin e tij, duke e vendosur sektorin bankar si një ndër prioritetet me impaktin më të madh në sigurinë e informacionit.
Ky është shërbim, në kuadër të angazhimeve primare të Qeverisë shqiptare për garantimin e të dhënave financiare të qytetarëve dhe të sektorit bankar në tërësi.
Masat e sigurisë të nivelit të larte dhe ngritja e qendrës operacionale të sigurisë kibernetike, angazhime afatshkurtra të AKCESK, ishin kryefjala e diskutimeve në këte takim, si një hap i rëndësishem për rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike.
Përfaqësues të sektorit bankar shprehën gadishmërinë për të mbështetur AKCESK, nëpërmjet Shoqatës së Bankave pranë së cilës është ngritur grupi i ekspertëve më të mirë të sigurisë kibernetike, të cilët do të ndërveprojnë me Autoritetin në raste të incidenteve kibernetike.
Gjithashtu, nëpërmjet MISP-it, AKCESK do të shkëmbejë informacion dhe masa paralajmëruese me CSIRT-et e operatorëve të infrastrukturave kritike të sektorit bankar dhe jo vetëm, për të rritur vigjilencën në mbrojtjen e infastrukturave të informacionit, nga vulnerabilitete të ndryshme.
Takimi u përmbyll me objektiva të përbashkëta për rritjen e nivelit të sigurisë në infrastrukturat e informacionit, në terma të rritjes së bashkëpunimit dhe të ndërtimit të besimit mes palëve.