Shqipëria, e para në stërvitjen rajonale të sigurisë kibernetike të organizuar në formatin e një gare miqësore!

 

Stërvitja kibernetike 4 ditore, e organizuar nga Akademia e Qeverisjes Elektronike të Estonisë (eGovernance Academy), CybExer Technologies, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) dhe autoritetet e tjera kompetente të sigurisë, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, u mbajt në Tiranë ku morën pjesë ekspertë të sigurisë kibernetike nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Maqedonia e Veriut. Ekipi shqiptar, i udhëhequr nga përfaqësues të AKSHI dhe AKCESK, me pjesëmarrës dhe nga institucionet e tjera të sigurisë dhe infrastrukturat kritike të informacionit, tregoi aftësi të shkëlqyera në kundërpërgjigjen ndaj një simulimi sulmi kibernetik duke u renditur në vendin e parë.

Aktiviteti u ndoq nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë SH.T.Z. Bajram Begaj së bashku me Presidentin e Republikës së Estonisë, SH.T.Z. Alar Karis dhe Ambasadoren e Bashkimit Evropian SH.S.Znj. Christiane Hohmann.

Drejtori i Përgjithshëm i AKCESK, z. Igli Tafa, në fjalën e tij falënderoi Bashkimin Evropian, Presidentin Estonez, dhe Akademinë e Qeverisjes Elektronike të Estonisë për mbështetjen e vazhdueshme, duke nënvizuar se duke punuar së bashku mund të mbrojmë vendet tona dhe qytetarët tanë nga kërcënimet kibernetike si dhe të krijojmë një të ardhme ku infrastrukturat tona janë të sigurta dhe të qëndrueshme.

Drejtoresha e Përgjithshme e AKSHI, znj. Mirlinda Karçanaj, gjatë këtij aktiviteti falenderoi së pari ambasadoren e BE-së në Tiranë, që bëri të mundur organizimin e këtij aktiviteti, partnerët europianë e amerikanë që po e mbështesin Shqipërinë, si dhe lavdëroi punën e AKCESK për vendosjen e standardeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit në fushën e sigurisë kibernetike, me ndihmën e eGovernance Academy e cila ka dhënë mbështetje në hartimin e kuadrit ligjor si dhe këshillim mbi menaxhimin e sigurisë kibernetike ne sektorin privat. Znj. Karcanaj nënvizoi se pas sulmit të sofistikuar ndaj Shqipërisë vitin e kaluar i sponsorizuar nga një shtet jo dashamirës ndaj vendit tonë,  këto simulime janë të rëndësishme për rritjen e aftësive të ekspertëve tanë.

Në një kohë kur sfidat e sigurisë kibernetike janë globale, Shqipëria ka shtuar fokusin e saj ndaj rritjes së kapaciteteve teknike për stafet përgjegjëse të sigurisë kibernetike. AKCESK vijon punën intensivisht për forcimin e bashkëpunimit dhe rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike duke implementuar praktikat dhe ekspertizën më të mirë ndërkombëtare.

 

 

     

Buletini Javor 15-19 Maj 2023
AKSK