Pushimet Verore dhe Siguria Kibernetike: Një Kujtesë e Nevojshme për të Gjithë Përdoruesit

Gjatë sezonit veror, rritet ndjeshëm përdorimi i teknologjisë për qëllime personale dhe turistike: rezervime online, përdorimi i rrjeteve publike, komunikime përmes aplikacioneve digjitale, shpërndarja e fotove dhe vendndodhjes në rrjete sociale. Në të njëjtën kohë, rriten edhe rreziqet që vijnë nga aktorë keqdashës në hapësirën kibernetike, të cilët synojnë të përfitojnë nga mungesa e vëmendjes dhe praktikat e dobëta të sigurisë.

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) kujton se siguria digjitale është një angazhim i vazhdueshëm, që nuk mund të lihet pas dore as në kohë pushimesh. Pavarësisht vendndodhjes, përdoruesit duhet të mbajnë standarde të larta sigurie në të gjitha ndërveprimet e tyre online.

Rrjetet Publike dhe Përdorimi me Kujdes i Internetit

Rrjetet Wi-Fi të ofruara në hotele, aeroporte apo ambiente të tjera publike, edhe pse praktike, mund të përbëjnë rrezik të lartë. Ato krijojnë mundësi për ndërhyrje të paautorizuara, që synojnë vjedhjen e fjalëkalimeve apo të dhënave të ndjeshme.

AKSK rekomandon:

  • Përdorimin e rrjeteve të sigurta dhe të enkriptuara;

  • Shmangien e hyrjes në llogari bankare ose dhënies së të dhënave personale kur përdoret internet publik.

Mashtrimet Online në Emër të “Ofertave Verore”

Gjatë kësaj periudhe, hakerat intensifikojnë përpjekjet për mashtrime përmes faqeve false që imitojnë platforma të udhëtimeve, akomodimit apo agjencive turistike. Ato ofrojnë çmime të ulëta për shërbime që nuk ekzistojnë, duke synuar të mbledhin të dhëna financiare apo identifikimi nga përdoruesit.

AKSK këshillon:

  • Të verifikoni gjithmonë adresat e faqeve dhe burimet zyrtare të kontaktit;

  • Të mos kryeni pagesa përmes lidhjeve të dyshimta ose pa certifikata sigurie;

  • Të raportoni çdo tentativë mashtrimi te autoritetet përkatëse.

Kujdes me Ndarjen e Informacionit në Rrjetet Sociale

Shpërndarja në kohë reale e fotove apo informacionit për vendndodhjen mund të krijojë hapësirë për abuzime, si vjedhje identiteti, krijim i profileve të rreme apo tentativash të tjera për shënjestrim digjital.

Publikimet duhet të bëhen me vetëdije dhe vetëm kur jeni të sigurt që nuk po komprometoni privatësinë dhe sigurinë tuaj personale apo të personave që udhëtojnë me ju.

Bizneset dhe Strukturat Akomoduese: Një Detyrim për Sigurinë e të Dhënave

AKSK i fton të gjitha strukturat që operojnë në fushën e turizmit – hotele, agjenci, operatorë të shërbimeve digjitale – të sigurojnë mbrojtjen e të dhënave të klientëve dhe integritetin e sistemeve të tyre. Kjo përfshin:

  • Përdorimin e sistemeve të përditësuara dhe me licenca zyrtare;

  • Ndarjen e rrjeteve për përdorim të brendshëm dhe për vizitorët;

  • Trajnimin bazë të stafit për të identifikuar dhe menaxhuar incidente të mundshme digjitale.

AKSK – Në Shërbim të Sigurisë Digjitale për të Gjithë

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike është i angazhuar të ofrojë udhëzime praktike dhe të aksesueshme për të gjithë përdoruesit – individë, institucione dhe sektorë ekonomikë – në funksion të ndërtimit të një mjedisi të sigurt digjital në vend.

Përmes ndërgjegjësimit, bashkëpunimit institucional dhe forcimit të kapaciteteve kombëtare, AKSK synon të minimizojë ndikimin e rreziqeve kibernetike dhe të nxisë kulturë në përdorimin e teknologjisë.

Edhe gjatë pushimeve, mos harroni: siguria kibernetike është përgjegjësi e përbashkët. Përdorni teknologjinë me kujdes dhe informohuni vazhdimisht për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Webinar Online me Temë: “Mbledhja Strategjike e të Dhënave për Sigurinë Kibernetike”