Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-60977 – Marrje e kontrollit të Oracle WebLogic Server përmes RMI Lexo më shumë →
Lajme

Një laborator për Ballkanin Perëndimor: AKSK dhe GIZ zgjerojnë bashkëpunimin në sigurinë kibernetike

Laboratori i Sigurisë Kibernetike pranë Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike po fuqizohet me pajisje të reja teknike, me mbështetjen e Shoqërisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Pajisjet u dorëzuan në kuadër të Memorandumit të Mirëkuptimit për “Laboratorin e Sigurisë Kibernetike të Ballkanit Perëndimor: Trajnim, Inovacion dhe Shkëmbim Ekspertize” (Western Balkans Cybersecurity Laboratory), i cili synon zhvillimin e laboratorit pranë AKSK-së në një qendër rajonale për trajnime të avancuara, simulime, shkëmbim njohurish dhe bashkëpunim mes ekspertëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Infrastruktura e re do të krijojë mundësi për zhvillimin e aftësive praktike të profesionistëve dhe studentëve të rajonit, veçanërisht në reagimin ndaj incidenteve, forenzikën digjitale, testimin e penetrimit dhe qëndrueshmërinë kibernetike.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, Bledar Kazia, vlerësoi mbështetjen e GIZ dhe Qeverisë Federale Gjermane, duke theksuar se zgjerimi i këtij bashkëpunimi krijon mundësi të reja për të ndarë ekspertizën dhe për të ndërtuar kapacitete të përbashkëta me partnerët e Ballkanit Perëndimor.

Mbështetja realizohet përmes projektit “Partneriteti për Forcimin e Sigurisë Kibernetike”, financuar nga Ministria Federale e Jashtme e Gjermanisë dhe zbatuar nga GIZ.

Shpërndaj Postimin