Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) dhe Instituti i Statistikave (INSTAT) nënshkruan sot amendimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, e cila synon forcimin e mbrojtjes së të dhënave nga sulmet kibernetike dhe rritjen e sigurisë së sistemeve të informacionit.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi se Autoriteti është i angazhuar të mbështesë jo vetëm INSTAT, por edhe të gjitha institucionet shtetërore në përballjen me sulmet kibernetike dhe ato hibride, që synojnë destabilizimin e vendit. Ai nënvizoi gjithashtu gatishmërinë e AKSK për të ofruar trajnime praktike për stafin e INSTAT, në mënyrë që ata të jenë të përgatitur për çdo skenar kibernetik.
Nga ana e saj, Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, znj. Elsa Dhuli, falënderoi AKSK për mbështetjen e dhënë në momentet kritike pas sulmit kibernetik të vitit 2024, duke theksuar se siguria digjitale është një kusht thelbësor për besueshmërinë e statistikave zyrtare dhe një standard i domosdoshëm për procesin e integrimit evropian të vendit.