Menaxhimi i krizës kibernetike në fokus: AKSK zhvillon takimin e katërt me infrastrukturat kritike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me Qendrën e Gjenevës për Qeverisje në Sektorin e Sigurisë (DCAF) zhvilloi takimin e katërt me operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, duke përmbyllur ciklin e parë të punës së dedikuar për rritjen e kapaciteteve kombëtare në sigurinë kibernetike. Ky sesion u fokusua tek menaxhimi i incidenteve dhe krizës kibernetike, një komponent qëndror në garantimin e vijimësisë së shërbimeve dhe mbrojtjen e sistemeve digjitale të vendit.

Në fjalën e hapjes, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e krijimit të një qasjeje të standardizuar mes institucioneve, duke nënvizuar se siguria kibernetike sot prek çdo sektor dhe çdo shtresë të shoqërisë. Ai theksoi se “security by design” mbetet parimi udhëheqës në një shoqëri që po digjitalizohet me shpejtësi dhe ku çdo ndërprerje e shërbimeve mund të ketë pasoja të menjëhershme.

Gjatë aktivitetit u prezantua procesi i plotë i menaxhimit të një incidenti, nga zbulimi dhe kategorizimi, tek analiza, koordinimi me AKSK dhe menaxhimi i ndikimit në shërbimet për qytetarët. Pjesëmarrësit ndoqën gjithashtu një demonstrim praktik të një incidenti real, i cili ilustroi rëndësinë e reagimit profesional dhe bashkërendimit institucional në situata ku çdo sekondë ka vlerë.
Ky takim shënon një hap të rëndësishëm në konsolidimin e standardeve kombëtare të sigurisë kibernetike dhe përgatit institucionet për sfidat e një Shqipërie që po avancon me ritme të shpejta drejt shërbimeve plotësisht digjitale.

Zhvillohet workshop-i për projektligjin e identifikimit elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin digjital