Në fjalën e tij hapëse, Drejtori i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi se siguria kibernetike është bërë një prioritet kombëtar. “Mbrojtja e hapësirës sonë kibernetike është thelbësore për stabilitetin ekonomik dhe social të vendit. Vizioni ynë është të ndërtojmë një sistem të fortë sigurie që të mbështesë zhvillimin e shërbimeve publike të digjitalizuara dhe të sigurojë mbrojtje për të gjithë qytetarët,” deklaroi ai.
Z. Tafa nënvizoi rolin e Shqipërisë në përputhje me standardet evropiane për sigurinë kibernetike, duke përmendur veçanërisht implementimin e direktivës NIS2, një nismë e Bashkimit Evropian që synon mbrojtjen e infrastrukturave kritike. “Jemi një nga katër vendet e para në Evropë që kemi përvetësuar këtë direktivë të rëndësishme, duke zgjeruar fushën e mbrojtjes kibernetike për të përfshirë jo vetëm institucionet, por edhe qytetarët,” theksoi ai. Qasja e institucionit tashmë nuk është vetëm rregullator, por edhe të qenit aktiv në mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe krijiimin e nje ekosistemi kibernetik te sigurt.
Panelet e konferencës trajtuan një sërë temash kyçe për forcimin e sigurisë kibernetike. Diskutimet u fokusuan në mbrojtjen e infrastrukturave kritike, përmirësimin e sigurisë në sektorët e energjisë dhe financave, si dhe në përmirësimin e teknologjive mbrojtëse. Një nga panelet u përqendrua në përfitimet e Shqipërisë nga implementimi i direktivës NIS2 dhe sfidat e zbatimit të saj, ndërsa një tjetër panel theksoi rëndësinë e ndarjes së informacionit mbi kërcënimet kibernetike me partnerët rajonalë për një qasje të koordinuar dhe të unifikuar në rajonin e Ballkanit.
Konferenca trajtoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e koordinimit me partnerët rajonalë dhe globalë për të përballuar sfidat e përbashkëta në fushën e sigurisë kibernetike. “Ne ndajmë informacion mbi kërcënimet kibernetike me vendet e Ballkanit, duke synuar një qasje të integruar për të forcuar sigurinë rajonale,” u shpreh z.Tafa, duke vënë në dukje rolin e Shqipërisë si një aktor aktiv në rritjen e sigurisë digjitale në rajon.
Diskutimet përfshinë gjithashtu temat e përgatitjes së brezave të rinj për sfidat e sigurisë kibernetike dhe përfshirjen e grupeve të margjinalizuara në këtë fushë. Z. Tafa nënvizoi se identifikimi dhe përkrahja e talenteve të reja, përmes bashkëpunimit me universitetet dhe programeve profesionale, janë thelbësore për adresimin e boshllëqeve në tregun e punës dhe për krijimin e një gjenerate të re ekspertësh në sigurinë kibernetike. “Ne duhet të përgatisim të gjithë qytetarët tanë, që nga të rinjtë e deri te komunitetet e margjinalizuara, për t’u përfshirë në mbrojtjen e hapësirës digjitale të vendit,” shtoi ai.
Konferenca u mbyll me një mesazh të qartë: Sigurimi i një të ardhmeje digjitale më të sigurt kërkon përpjekje të përbashkëta dhe investime të vazhdueshme në kapacitete teknologjike dhe njerëzore. AKSK riafirmoi përkushtimin e saj për të qenë një lider rajonal në mbrojtjen kibernetike, duke ndihmuar në ndërtimin e një ekosistemi më të fortë dhe më të sigurt për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit.
Kjo konferencë u mbështet nga projekti “Qeverisja e mirë e sigurisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor,” financuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe implementuar nga Qendra e Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë – DCAF, dhe nga projekti Risi Albania i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), implementuar nga Helvetas.































