Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), z. Bledar Kazia, zhvilloi një takim zyrtar në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, me përfaqësues të Byrosë për Hapësirën Kibernetike dhe Politikat Digjitale (CDP) dhe Byrosë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike (EUR).
Në qendër të diskutimeve ishte forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në fushën e sigurisë kibernetike. Palët vlerësuan rezultatet e arritura përmes partneritetit të deritanishëm dhe mbështetjes së vazhdueshme amerikane, si dhe diskutuan prioritetet për vijimin e bashkëpunimit, me fokus në zhvillimin e kapaciteteve kombëtare, mbrojtjen e infrastrukturës kritike, forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike dhe shkëmbimin e ekspertizës.
Përfaqësuesit amerikanë riafirmuan angazhimin e SHBA-së për të vijuar mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit për përballimin e sfidave të përbashkëta në hapësirën kibernetike.
Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike vlerëson partneritetin e qëndrueshëm me Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe kontributin e tij në forcimin e kapaciteteve të Shqipërisë, në funksion të një mjedisi digjital më të sigurt dhe më të qëndrueshëm për qytetarët dhe institucionet shqiptare.
