“Rritja e kapaciteteve, esenciale për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit”
AKCESK, i fokusuar në rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në infrastrukturat e informacionit në nivel kombëtar, mbështet Operatorët e Infrastrukturave Kritike dhe të Rëndësishme të Informacionit, për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe teknike.
Duke e konsideruar rritjen e kapaciteteve si një ndër shtyllat esenciale për mbrojtjen e infrastrukturave të informacionit, AKCESK ofron në mënyrë të vazhdueshme ndihmë dhe mbështetje për të gjithë operatorët e këtyre infrastrukturave. Në këtë linjë, u zhvillua me mbështetjen e partnerit tonë Risi Albania/Helvetas dhe kontributin e çmuar të ekspertëve të Autoritetit, aktiviteti i datës 23-24 nëntor me sektorin financiar/bankar.
Aktiviteti dy ditor u përqendrua në zhvillimin e skenarëve të ndryshëm TTX, të dedikuar për këtë sektor dhe pjesëmarrësit u përfshinë në stërvitjen Cyber Drill, duke treguar aftësitë e tyre në zgjidhjen e incidenteve kibernetike mbështetur në procedurat përkatëse.
AKCESK, është gjithmonë i vëmendshëm ndaj përdorimit të teknologjive dhe teknikave të reja, duke ndjekur standardet ndërkombëtare për fushën e sigurisë kibernetike dhe i gatshëm për të mbështetur të gjitha grupet e shoqërisë, për ndërtimin e një ekosistemi kibernetik të qendrueshëm në Shqipëri.