AKSK mirëpret delegacionin nga institucionet përgjegjëse për sigurinë kibernetike të Kosovës

Në vijim të angazhimeve për forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme ndërinstitucionale në fushën e sigurisë kibernetike, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike mirëpriti sot një delegacion nga institucionet homologe të Republikës së Kosovës.

Delegacioni, i kryesuar nga Z. Lulëzon Jagxhiu, Këshilltar për Teknologjinë e Informacionit pranë Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, përfshinte përfaqësues nga institucionet përgjegjëse për mbrojtjen kibernetike dhe transformimin digjital. Vizita u fokusua në prezantimin e veprimtarisë së AKSK, kuadrit ligjor dhe rregullator, strukturës funksionale dhe kapaciteteve operacionale, përfshirë proceset e monitorimit dhe reagimit ndaj incidenteve, mekanizmat e koordinimit ndërinstitucional dhe bashkëpunimin me aktorët e tjerë në vend.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi se ndërtimi i një partneriteti me institucionet homologe të Kosovës është pjesë e vizionit të qeverisë për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel rajonal. Ai u shpreh se shkëmbimi i praktikave dhe përvojave konkrete është thelbësore për të adresuar sfidat gjithnjë në zhvillim të hapësirës digjitale.

Vizita konfirmoi angazhimin e ndërsjellë për të ndërtuar ura bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës për sigurinë kibernetike, në funksion të një objektivi të përbashkët për mbrojtjen e hapësirës sonë digjitale dhe forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në nivel kombëtar dhe rajonal.

Njoftim i Rëndësishëm: Cenueshmëri kritike në produktin Microsoft SharePoint