AKSK mirëpret CIRT-et rajonale në një trajnim intensiv kibernetik në Cyber Lab dhe Cyber Range.

Në kuadër të projektit “Cyber Balkans”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian, AKSK mirëpriti përfaqësues të ekipeve CIRT nga Ballkani Perëndimor për një vizitë studimore dhe trajnim intensiv në Cyber Lab dhe Cyber Range.

Ky aktivitet dyditor pati si synim forcimin e aftësive teknike për reagimin ndaj incidenteve kibernetike, përmes simulimeve praktike dhe shkëmbimit të përvojave, duke promovuar një qasje rajonale të përbashkët ndaj sfidave të sigurisë digjitale.

Igli Tafa, Drejtor i AKSK, theksoi se siguria kibernetike duhet të jetë “e ndërtuar që në fazën e dizajnit” dhe jo e shtuar më pas në sistemet digjitale. Ai ndau vizionin për ndërtimin e një mjedisi të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor, ku ekspertiza dhe kapacitetet të zhvillohen në mënyrë të integruar, që nga arsimi bazë e deri në institucionet kritike.

Davide Casale, përfaqësues i Delegacionit të BE në Shqipëri, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me AKSK dhe e-Governance Academy, duke e cilësuar si një model trilateral suksesi për ndërtimin e qëndrueshmërisë kibernetike rajonale. “Siguria kibernetike është tashmë prioritet për BE-në, jo vetëm brenda kufijve të saj, por edhe në vendet që aspirojnë anëtarësimin.”

Milan Sekuloski, drejtues i projektit “Cyber Balkans”, nënvizoi rëndësinë e rrjeteve të ekspertëve dhe ndarjes së praktikave të mira në ndërtimin e kapaciteteve afatgjata. “AKSK jo vetëm që ndan përvojat e saj, por i shndërron ato në mundësi trajnimi për të gjithë rajonin,” – u shpreh ai.

Projekti “Cyber Balkans” zbatohet nga e-Governance Academy (Estoni), në partneritet me CILC (Holandë), NÚKIB (Çeki), si dhe me mbështetjen e ekspertëve nga CERT-et kombëtare të Estonisë, Letonisë dhe Sllovenisë.

 

AKSK Organizon Trajnimin “Higjiena Kibernetike” në Bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe CRDF Global