Në datat 22-27 Prill u zhvillua në Singapor edicioni i 4 i “UN-Singapore Cyber Fellowship”. Ky aktivitet u organizua nga Agjencia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike e Singaporit (CSA) në bashkëpunim me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Çështjet e Çarmatimit (UNODA) dhe Universitetin Kombëtar të Singaporit.
“UN-Singapore Cyber Fellowship” mblodhi së bashku 23 përfaqësues nga Shtetet Anëtare të OKB-së. Në këtë program Shqipëria u përfaqësua nga Drejtori i Qeverisjes së Sigurisë Kibernetike, Riskut dhe Kontrollit në AKCESK, Z.Saimir Kapllani i cili ndau përvojën e Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike, progresin dhe sfidat që përballemi për krijimin e një ekosistemi të qëndrueshëm kibernetik.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të ndërveprojnë me agjencitë qeveritare të Singaporit, sektorin privat dhe akademinë, duke shkëmbyer eksperiencat dhe praktikat më të mira për përgjigje të përbashkëta ndaj kërcënimeve kibernetike.
Gjatë këtij programi u diskutuan një sërë temash që përfshijnë fushat operacionale, teknike, politike dhe diplomatike si: përgjigja ndaj incidenteve, mbrojtja e infrastrukturës kritike të informacionit, teknologjitë në zhvillim dhe kuadri i qëndrueshmërisë kibernetike.
Programi kishte gjithashtu një ndërthurje midis leksioneve dhe vizitave në terren si, Laboratorin e Përbashkët NUS-NCS për Sigurinë Kibernetike, iTrust SUTD dhe Qendrën Kombëtare të Integruar për Vlerësim të Universitetit Teknologjik të Nanyangut në Singapor.