Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK) në bashkëpunim me Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, USAID / DAI, Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Shoqatën Shqiptare të Bankave, Soft&Solution, R&T Group, One Telecommunications dhe DigitALB organizuan konferencën “Sfidat e Sigurisë Kibernetike në Shqipëri”, pranë MAK Albania hotel.
Qëllimi i konferencës ishte rritja e nivelit të sigurisë kibernetike në vend në zbatim të Planit të ri Strategjik për sigurinë kibernetike, nëpërmjet adresimit të sfidave aktuale të sigurisë kibernetike, si dhe forcimi i bashkëpunimit me partnerët dhe bashkëpunëtorët strategjikë, duke konsideruar edhe kontributin e çmuar të ekspertëve të fushës nga Diaspora.
Konferenca u hap nga Drejtori i Përgjithshëm i AKCESK, njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Z. Igli Tafa, i cili theksoi se “Siguria dhe mbrojtja ndaj keqpërdorimit të internetit është sot një sfidë mbarë botërore. AKCESK është këtu për të mbrojtur të dhënat tuaja dhe sot është koha e duhur për tu mbledhur së bashku dhe për të adresuar sfidat që na presin.
Implementimi i Strategjisë së Re për Sigurinë Kibernetike nga ana e AKCESK është një sfidë e madhe, por është proces i gjatë, dinamik dhe i vështirë. Por ne nuk jemi vetëm, ne kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë Shqiptare dhe të partnerëve të rëndësishëm ndërkombëtarë. Ne e dimë shumë mirë që çelësi i suksesit është bashkimi i aktorëve ndaj kësaj lufte. Vetëm duke qenë bashkë, duke ndarë informacione, duke rritur kapacitetet teknologjike dhe njerëzore, duke u ndërgjegjësuar të gjithë për sfidat që na presin dhe duke rritur standardet e përditshme, ne do të jemi të suksesshëm ndaj armiqve kibernetikë.”
Në fjalën e saj Zëvendëskryeministrja Znj. Belinda Balluku, shpalosi vizionin e Qeverisë Shqiptare për sigurinë kibernetike, bazuar në parimin e “Ndërtimit të Besimit” dhe gjithëpërfshirjes së qeverisjen kibernetike. Gjithashtu Zëvendëskryeministrja u shpreh: “Siguria kibernetike është një element thelbësor për mirëfunksionimin e qeverisë dhe të gjitha infrastrukturave të informacionit. Falë reagimit në kohën e duhur si dhe mbështetjes së vyer të partnerëve dhe bashkëpunëtorëve tanë strategjikë ky sulm nuk e arriti synimin kryesor që ai kishte për të gjunjëzuar shtetin dhe për shkatërrimin e këtyre infratrukturave.”
Konferenca vijoi me panelin “Forcimi i bashkëpunimit strategjik për rritjen e sigurisë kibernetike”, i cili u fokusua në rritjen e bashkëpunimit për të garantuar ndërveprim dhe koordinim në forcimin e sigurisë dhe minimizimin e dëmeve nga sulmet kibernetike.
Në fjalën e saj Znj. Olta Xhaçka, Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme theksoi përpjekjet e MEPJ për bashkëpunim me aleatët dhe partnerët, me qëllim ndërtimin e kapaciteteve dhe infrastrukturës në mbrojtje kundër sulmeve dashakeqe nga aktorët shtetërorë dhe joshtetërorë.
Z. Bledar Çuçi, Ministër i Brendshëm u shpreh “Njësoj siç kemi rendur vazhdimisht për t’i bërë sistemet tona më eficente, për tu kursyer kohën qytetarëve, kemi përgjegjësinë e madhe të ngremë të gjitha kapacitetet e nevojshme për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe shërbimeve të ofruara”.
Në fjalën e tij Z. Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes evidentoi sërish se siguria dhe mbrojtja kibernetike është prioritet i Qeverisë Shqiptare, konkretisht “Pas sulmeve kibernetike të 15 korrikut 2022, Shqipëria është në avangard krahasuar me shumë shtete të tjera në rajon, për shkak se ka hyrë me shpejtësi në një proces të modernizimit të të gjithë sistemit të mbrojtjes kibernetike, ka disafishuar buxhetet, ka rritur masat për edukimin, ndërgjegjësimin, dhe kjo konferencë është pjesë e kësaj përpjekjeje të madhe të Qeverisë Shqiptare. Kemi rritur shumë lobimin dhe kemi zgjeruar rrjetin e partnerëve.
Shkëlqesia e saj Zj. Yuri Kim, Ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shkëlqesia e tij Z. Guido de Sanctis, Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Shkëlqesia e saj Zj. Galit Peleg, Ambasadore e Shtetit të Izraelit në Shqipëri dhe Shkëlqesia e saj Znj. Christiane Hohmann, Ambasadore e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, adresuan sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri, duke identifikuar nevojën për bashkëpunim, për t’iu përgjigjur së bashku kërcënimeve globale kibernetike.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Zj. Yuri Kim në fjalën e saj theksoi mbështetjen e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike në Shqipëri. Konkretisht, ajo u shpreh “Ju nuk jeni vetëm. Ju nuk jeni vetëm në shënjestër të sulmeve kibernetike. Dhe sigurisht që nuk jeni vetëm në përgjigjen ndaj tyre. Shtetet e Bashkuara janë me ju. Është e qartë se Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria duhet të identifikojnë mbrojtjen tonë të përbashkët dhe reagimin kundër sulmeve kibernetike. Duke punuar së bashku me Dr.Tafën, Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria po implementojnë një nga përpjekjet tona më të mëdha të asistencës për sigurinë, që arrin në 50 milionë dollarë në mbështetje të forcimit të mbrojtjes kibernetike të Shqipërisë. Ky është vetëm fillimi.”
Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Guido De Sanctis, u përqendrua te rëndësia e bashkëpunimit dhe rritjes së ndërgjegjësimit. Ai vuri në pah ndihmën e Prezencës në hartimin e Strategjisë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2020-2025 dhe të Strategjisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike 2021-2025; zhvillimin e trajnimit të trajnuesve për krimet kibernetike; dhe mbështetjen që Prezenca i ka dhënë Autoritetit Kombëtar për të rritur ndërgjegjësimin e grupeve të ndryshme sociale rreth kërcënimeve kibernetike, me fokus të veçantë të rinjtë dhe bashkëpunimin.
Ambasadorja Znj. Christiane Hohmann theksoi solidaritetin e BE-së me Shqipërinë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar. “Të kthesh sigurinë kibernetike në një prioritet është sfiduese për të gjithë ne, siç është edhe për Shqipërinë. BE-ja është krenare që ka sjellë ekspertizë nga Estonia 🇪🇪 dhe vende të tjera të BE-së në përgjigje të sulmeve kibernetike të verës së kaluar. Ne do të qëndrojmë në këtë fushë për një kohë të gjatë për ta ndihmuar Shqipërinë që të jetë më e sigurt dhe më e qëndrueshme”, tha Ambasadorja Hohmann.
Ambasadorja e Shtetit të Izraelit Zj. Galit Peleg, u shpreh se Shteti i Izraelit e ka konkretizuar bashkëpunimin ndaj Shqipërisë, nëpërmjet nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit, me fokus rritjen e kapaciteteve profesionale, ndarjen e informacionit dhe forcimin e aftësive mbrojtëse ndërmjet dy shteteve.
Konferenca vijoi me sesionin “Mbrojtja e infrastrukturave kritike të informacionit”. I ftuar i veçantë i këtij paneli ishte Ambasadori i Përfaqësisë së Përhershme në NATO i Republikës së Shqipërisë Z. Visho Ajazi Lika, i cili u ndal në angazhimet e Shqipërisë si vend i Aleancës dhe bashkëpunimin me secilin prej vendeve anëtare në fushën e sigurisë kibernetike. Fokusi i këtij paneli ishte prezantimi i sfidave dhe praktikave më të mira për përgjigje ndaj incidenteve kibernetike nga operatorët e infrastrukturave kritike të sektorit qeveritar, financiar, energjitik dhe transportit.
Ky sesion u mbyll me nënshkrimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis AKCESK dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave, për të rritur informimin dhe shkëmbimin e informacionit në një infrastrukturë të hapur, ndërvepruese, të sigurt, dhe të besueshme duke pasur prioritet fushën e sigurisë kibernetike.
Sesioni i fundit i konferencës iu dedikua “Rëndësisë së gjithëpërfshirjes për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike” dhe lancimit të Forumit Cyber Diaspora, në të cilin morën pjesë përfaqësuesit e sektorit privat Z. Renis Tërshana, administrator R&T Group dhe Z. Ermal Beqiri, themelues Soft & Solution, si dhe ekspertëve në Diasporë Z. Endrit Demi, Z. Enkelejd Zoto, Z. Adi Dibra, Z. Adrian Qytetza dhe Z. Rio Sherri, të cilët shprehën gadishmërinë për të kontribuar me eksperiencën e tyre në forcimin e sigurisë në nivel kombëtar. Në një kohë kur digjitalizimi dhe mbrojtja e sistemeve të informacionit është gjithmonë në fokus të Qeverisë Shqiptare, ekspertiza dhe kontributi i vyer i ekspertëve shqiptarë në Diasporë është vlerë e shtuar në procesin e vazhdueshëm të sigurimit të ekosistemit kibernetik.