Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-109619 – Remote Code Execution (PHP2Shell) Lexo më shumë →
Rekomandime

Bledar Kazia për TV Asahi – Japoni mbi kërcënimet kibernetike ndaj Shqipërisë dhe bashkëpunimin ndërkombëtar

Në një intervistë për rrjetin japonez ANN, të publikuar nga TV Asahi, Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), Bledar Kazia, foli për përvojën e Shqipërisë në përballimin e sulmeve kibernetike dhe për ndryshimin e taktikave të grupeve të mbështetura nga Irani.

Duke iu referuar sulmit të vitit 2022, i cili preku sistemet qeveritare, Kazia e cilësoi atë si sulmin më të rëndë kibernetik në historinë e Shqipërisë. Ai shpjegoi se këto grupe kanë vijuar aktivitetin e tyre edhe gjatë vitit 2026, me operacione më të vogla dhe më të shpeshta. Sipas tij, ato përqendrohen tashmë te vjedhja dhe publikimi i të dhënave dhe përdorin kanalet e tyre në Telegram për të ushtruar presion psikologjik.

Kazia u ndal edhe te masat që ka marrë Shqipëria për t’iu përgjigjur këtyre kërcënimeve. Ai vlerësoi se ndryshimet ligjore dhe masat mbrojtëse kanë ndihmuar në parandalimin e dëmeve të mëdha. Në përmbyllje, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së theksoi rëndësinë e shkëmbimit të shpejtë të informacionit mes shteteve, të bashkëpunimit për identifikimin e autorëve të sulmeve dhe të koordinimit të sanksioneve ndaj tyre.

Shiko kronikën

Shpërndaj Postimin