Kalo tek përmbajtja kryesore
Live Alert Kritik: CVE-2026-93616 – Check Point Security Management Lexo më shumë →
Lajme

ECSC Team Albania zhvillon bootcamp-in përgatitor në Valbonë

Në prag të European Cyber Security Challenge 2026, ekipi që do të përfaqësojë Shqipërinë zhvilloi në Valbonë një bootcamp katërditor të organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Gjatë këtyre ditëve, ECSC Team Albania u angazhua në gara, ushtrime praktike dhe sfida të ndërtuara për të testuar aftësitë teknike, bashkëpunimin dhe reagimin në kushte konkurrence. Një nga momentet kryesore ishte pjesëmarrja në FAUST CTF – Attack Defence, ku morën pjesë 502 ekipe nga e gjithë bota dhe përfaqësuesja shqiptare u rendit në vendin e 6-të.

Pjesë e bootcamp-it ishte edhe Cyber Escape Room-i i parë në Shqipëri, i ideuar nga ekspertë të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, një format që i vendosi anëtarët e ekipit përballë një serie sfidash të ndërlidhura, ku njohuritë në sigurinë kibernetike u kombinuan me logjikën, analizën, koordinimin dhe punën në grup.

Në përfundim të programit, anëtarët morën certifikatat si pjesë e ECSC Team Albania, duke konfirmuar përbërjen e ekipit që do të përfaqësojë Shqipërinë në European Cyber Security Challenge 2026. ECSC është kompeticioni evropian për ekipet kombëtare të të rinjve në sigurinë kibernetike, i mbështetur nga ENISA dhe institucionet evropiane, me synim zhvillimin dhe promovimin e talenteve të reja në këtë fushë.

Për AKSK, pjesëmarrja në ECSC është pjesë e punës së vazhdueshme për identifikimin dhe zhvillimin e talenteve të reja, krijimin e përvojës konkurruese dhe forcimin e përfaqësimit të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike.

AKSK shpreh mirënjohjen ndaj GIZ Partnership for Strengthening Cybersecurity Project, United Nations Development Programme in Albania, Valbona Resort & SPA, UPay Albania dhe Unionnet – Western Union për mbështetjen e ECSC Team Albania dhe kontributin në zhvillimin e të rinjve në këtë fushë.

Shpërndaj Postimin