Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, prezantoi përpara Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale punën e AKSK-së për periudhën janar–gusht 2026 dhe zhvillimet kryesore të institucionit.
Ndër çështjet kryesore të prezantuara:
Forcimi i kuadrit ligjor dhe rregullator – miratimi i Ligjit nr. 51/2026 “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, i përafruar me rregulloret evropiane eIDAS1 dhe eIDAS2. Paralelisht, ka përfunduar procesi i konsultimit publik për amendimet e ligjit nr. 25/2024 “Për sigurinë kibernetike”, me fokus forcimin e masave administrative, detyrimeve për raportim dhe bashkëpunim të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme, si dhe përmbushjen e detyrimeve që lidhen me integrimin evropian.
Integrimi në Bashkimin Evropian – AKSK është e angazhuar në kapitujt 10, 20 dhe 31, me fokus përcaktimin e detyrimeve dhe përgjegjësive, mekanizmat e bashkëpunimit dhe standardizimin e masave të sigurisë dhe qëndrueshmërisë kibernetike. Pjesë e këtij procesi është edhe puna për ngritjen e CIRT-eve sektoriale.
Zgjerimi i mbrojtjes së infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme – numri i tyre është rritur nga 215 në 328, duke zgjeruar fushën e mbikëqyrjes dhe mbrojtjes kibernetike.
Parandalimi dhe menaxhimi i incidenteve kibernetike – gjatë vitit 2026 janë regjistruar 20 incidente kibernetike, nga të cilat 4 janë klasifikuar si kritike ose me impakt në të dhëna apo shërbime, ndërsa incidentet e tjera nuk kanë pasur impakt në të dhënat dhe shërbimet e ofruara ndaj publikut.
Rritja e kapaciteteve për monitorim, parandalim dhe reagim – janë rritur kapacitetet njerëzore dhe teknologjike të Autoritetit, ndërsa inteligjenca artificiale është integruar në një pjesë të proceseve të monitorimit dhe po zgjerohet edhe në procese të tjera të punës së AKSK-së.
Ndërgjegjësimi – për herë të parë, siguria kibernetike është përfshirë në programet mësimore përmes 3 moduleve për klasat I, VI dhe X. Paralelisht, vijojnë trajnimet dhe aktivitetet ndërgjegjësuese për nxënës, mësues, prindër, administratën publike dhe infrastrukturat.