Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi dëgjesat publike mbi ndryshimet e propozuara në projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 25/2024 ‘Për sigurinë kibernetike’”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore, operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit, si dhe sektorit bankar.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSK-së, z. Bledar Kazia, së bashku me përfaqësues të institucionit, prezantoi risitë e parashikuara në projektligj dhe ndikimin e tyre në forcimin e sigurisë kibernetike në nivel kombëtar. Gjatë prezantimit, u trajtuan në mënyrë të detajuar ndryshimet sipas neneve përkatëse, si dhe sfidat dhe nevojat që kanë diktuar propozimin e tyre.
Në kuadër të diskutimeve, pjesëmarrësit paraqitën komentet dhe sugjerimet e tyre, ndërsa ekspertët e AKSK-së ofruan sqarimet e nevojshme mbi aspektet kryesore të projektligjit.
Ndryshimet e propozuara synojnë rritjen e efektivitetit të mekanizmave të mbrojtjes kibernetike, forcimin e kapaciteteve për parandalimin dhe reagimin ndaj incidenteve, përcaktimin më të qartë të detyrimeve të operatorëve, si dhe krijimin e mekanizmave të rinj të mbikëqyrjes. Këto masa synojnë rritjen e nivelit të sigurisë dhe qëndrueshmërisë së ekosistemit kibernetik në Republikën e Shqipërisë.
