AKSK zhvillon Ushtrimin Kombëtar Simulues për Menaxhimin e Krizave Kibernetike

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) organizoi Ushtrimin Kombëtar Simulues për Menaxhimin e Krizave Kibernetike, me pjesëmarrjen e institucioneve shtetërore dhe përfaqësuesve të operatorëve të infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend.
Ushtrimi u zhvillua në kuadër të zbatimit të Planit Kombëtar të Reagimit ndaj Incidenteve të Sigurisë Kibernetike në Shkallë të Gjerë dhe ndaj Krizës Kibernetike. Përmes një skenari simulues, u testuan procedurat kombëtare të menaxhimit të krizave, koordinimi ndërinstitucional, shkëmbimi i informacionit, vendimmarrja dhe reagimi ndaj incidenteve me ndikim të gjerë.
Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK dhe Koordinatori Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, theksoi se ushtrimi synon të vlerësojë gatishmërinë e institucioneve për të koordinuar dhe reaguar në mënyrë efektive, duke garantuar vazhdimësinë e shërbimeve jetike për qytetarët.
Ai nënvizoi se, pas sulmeve kibernetike të vitit 2022, Shqipëria ka forcuar arkitekturën kombëtare të sigurisë kibernetike përmes legjislacionit të ri, mekanizmave të koordinimit institucional dhe ngritjes së CERT-it Kombëtar. Sipas tij, menaxhimi efektiv i një krize nuk varet vetëm nga teknologjia, por edhe nga koordinimi, komunikimi në kohë dhe zbatimi i roleve të përcaktuara.
AKSK shpreh mirënjohjen ndaj DCAF – Geneva Centre for Security Sector Governance, UK International Development dhe Ministrisë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë për mbështetjen në zhvillimin e këtij ushtrimi.

 

 

Buletini i Lajmeve të Sigurisë Kibernetike Qershor 2026