Edicioni i tretë i Western Balkans Cyber Camp 2026 bëri bashkë të rinj të apasionuar pas sigurisë kibernetike nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë & Hercegovina, në një eksperiencë tre-ditore të fokusuar në bashkëpunim rajonal, zhvillim profesional dhe trajnim praktik në fushën e sigurisë kibernetike.
I organizuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), kampi kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe krijimin e një hapësire të përbashkët për zhvillimin e talenteve të reja në sigurinë kibernetike, përmes diskutimeve, sesioneve praktike dhe simulimeve të skenarëve realë kibernetikë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, Bledar Kazia, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe rolit të të rinjve në ndërtimin e një të ardhmeje më të sigurt kibernetike për rajonin, duke u shprehur se asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me kërcënimet kibernetike dhe se bashkëpunimi, ekspertiza e përbashkët dhe profesionistët e rinj janë çelësi për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në Ballkanin Perëndimor.
Gjatë zhvillimit të kampit, pjesëmarrësit u bënë pjesë e diskutimeve, paneleve dhe sesioneve interaktive të fokusuara në disa nga temat më aktuale të sigurisë kibernetike, duke përfshirë kërcënimet e nxitura nga inteligjenca artificiale, dezinformimin, mbrojtjen e infrastrukturave kritike, diplomacinë kibernetike, sfidat e zhvillimeve teknologjike dhe rëndësinë e bashkëpunimit rajonal në forcimin e sigurisë digjitale. Në këto sesione, profesionistë të sigurisë kibernetike, përfaqësues institucionesh, akademikë dhe partnerë ndërkombëtarë ndanë eksperienca dhe perspektiva mbi zhvillimet më të fundit të ekosistemit kibernetik dhe nevojën për investim tek brezi i ri i profesionistëve të kësaj fushe.
Një nga aktivitetet kryesore të kampit ishte zhvillimi i kompeticionit “Capture The Flag” (CTF), i cili solli një eksperiencë intensive praktike dhe bashkëpunuese për pjesëmarrësit. Të rinjtë u organizuan në ekipe të përziera rajonale me përfaqësues nga të gjitha vendet pjesëmarrëse dhe punuan së bashku për të zgjidhur sfida teknike, analizuar skenarë sulmesh kibernetike, identifikuar vulnerabilitete dhe reaguar ndaj detyrave praktike në kohë reale.
Gjatë zhvillimit të CTF-së, pjesëmarrësit u mbështetën nga ekspertë të AKSK, përfaqësues të akademisë, ekipeve kombëtare CIRT dhe alumni të edicioneve të mëparshme të kampit, duke krijuar një ambient bashkëpunues dhe dinamik të fokusuar në zhvillimin e aftësive praktike, punën në grup dhe shkëmbimin e eksperiencave ndërmjet të rinjve të rajonit.
Përtej pjesës teknike dhe profesionale, kampi krijoi mundësi të rëndësishme për rrjetëzim, ndërtim lidhjesh afatgjata dhe forcim të komunitetit rajonal të sigurisë kibernetike, duke bashkuar të rinj me interesa dhe vizion të përbashkët për të ardhmen digjitale të Ballkanit Perëndimor.
AKSK shpreh mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit, folësit, mentorët dhe partnerët që kontribuuan në organizimin e suksesshëm të këtij edicioni, veçanërisht GIZ, Western Balkans Cyber Capacity Center (WB3C), Regional Cooperation Council (RCC) dhe Prezencën e OSBE-së në Shqipëri, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve kibernetike dhe bashkëpunimit rajonal.
Galeria e plotë: https://aksk.gov.al/gallery-wbcc-2026/





