“Si mendojnë hakerat?” kjo ishte tema e radhës e takimit të Cybersecurity Talent Club, e fokusuar në sjelljen dhe metodat e sulmuesve kibernetikë.
Gjatë sesionit u trajtua mënyra se si aktorët keqdashës identifikojnë objektivat, vlerësojnë dobësitë dhe ndërtojnë strategjitë e tyre të sulmit, duke e trajtuar kërcënimin si një model të mirëorganizuar veprimi.
Nga sektori i biznesit, i ftuar në këtë takim ishte z. Ermal Galo, Përgjegjës i Njësisë së Sigurisë së Informacionit në Union Bank Albania, i cili ndau përvojën dhe perspektivën e sektorit financiar mbi menaxhimin e rrezikut kibernetik.
Takimi përfshiu edhe një ushtrim praktik (TTX), i zhvilluar nga ekspertët e AKSK, ku pjesëmarrësit analizuan se çfarë do të synonin në rolin e një sulmuesi dhe pse, duke forcuar mendimin kritik dhe qasjen proaktive në mbrojtje.
AKSK falënderon Startup Albania, ProTik, Piramidën e Tiranës dhe Innovation Hub, për mbështetjen në realizimin e këtij eventi.
