Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ka përmbyllur Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025, një iniciativë gjithëpërfshirëse dhe inovative që u zhvillua përgjatë disa muajve, me qëllim forcimin e kapaciteteve njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike dhe identifikimin e talenteve të reja në nivel kombëtar.
Maratona u organizua në tre kategori kryesore: Maratona për Universitetet dhe Shkollat Profesionale, Maratona për Vajzat dhe Gratë, si dhe Maratona Speciale për personat me nevoja të veçanta, duke reflektuar një qasje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse. Formati i kësaj nisme ngjalli interes të lartë, me mbi 1000 aplikantë, prej të cilëve më shumë se 500 konkurrentë u përzgjodhën për të marrë pjesë aktive në fazat konkurruese.
Gjatë gjithë periudhës së zhvillimit, pjesëmarrësit u testuan përmes sfidave teknike të nivelit profesional, të implementuara dhe të administruara përmes platformës SimSpace, e financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e cila ofroi një ambient real dhe të standardizuar për vlerësimin e aftësive. Sfidat përfshinë analiza, menaxhim incidentesh, simulime proaktive, si dhe zgjidhje skenarësh me kompleksitet të lartë.
Në fjalën e tij, Igli Tafa, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, theksoi se Maratona Kombëtare e Sigurisë Kibernetike përfaqëson një iniciativë unike për nga organizimi, shtrirja dhe përfshirja, e ndërtuar për herë të parë si një format i vetëm që bashkon studentë të universiteteve, vajza dhe gra, si dhe persona me aftësi të kufizuara. Ai nënvizoi se kjo maratonë shërben si një mekanizëm konkret për identifikimin e talenteve dhe ndërtimin e kapaciteteve profesionale, të domosdoshme për mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit në vend, si dhe për zhvillimin e sigurt të shërbimeve digjitale në vend.
Nga ana e saj, Mirela Kumbaro, Ministre e Arsimit, vlerësoi Maratonën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike si një nismë që shkon përtej konkurrimit teknik dhe që duhet parë si pikënisje për një proces të vazhdueshëm ndërgjegjësimi dhe edukimi. Ajo theksoi se siguria kibernetike nuk mund të mbetet vetëm në rrethin e profesionistëve, por duhet të shtrihet si kulturë dhe përgjegjësi e përbashkët te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe institucionet arsimore.
Fituesit e Maratonës Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025
Maratona për Vajzat dhe Gratë
- Vendi I: Ana Kaci
- Vendi II: Adriana Roci
- Vendi III: Irva Dafa
Maratona për Studentët
- Vendi I: Earta Joca
- Vendi II: Sidrit Zela
- Vendi III: Orgito Leka
- Vendi III: Firdeus Dikelari
- Vendi III: Asim Lecini
- Vendi III: Emanuel Dervishi
- Vendi III: Abdurrahman Sejta
- Vendi III: Arkel Lahi
Maratona Speciale për persona me aftësi të kufizuara
- Vendi I: Dorina Olldashi
- Vendi II: Erblin Karaj
- Vendi III: Alvaro Dunja
Maratona për Universitetet
- Vendi I: Akademia e Forcave të Armatosura
- Vendi II: Fakulteti i Teknologjisë së Informacionit
- Vendi III: Universiteti “New York”
Përmes kësaj nisme, AKSK forcon lidhjen ndërmjet arsimit, profesionistëve të rinj dhe institucioneve, duke ndërtuar kapacitete të reja që i përgjigjen nevojave aktuale dhe afatgjata të sigurisë kibernetike.
