Mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është një nga prioritetet kryesore të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), i cili në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit zhvilloi një tryezë ndërinstitucionale të fokusuar në rreziqet që prekin fëmijët në hapësirën digjitale dhe në nevojën për të përforcuar kuadrin ligjor dhe mekanizmat e mbrojtjes.
Drejtori i Përgjithshëm, Igli Tafa, theksoi se rritja e formave të abuzimit online kërkon një kuadër ligjor më të qartë dhe më të përshtatur me realitetin digjital. Ai nënvizoi se disa prej dispozitave aktuale që trajtojnë publikimet e dëmshme, shantazhin dhe kërcënimet online nuk pasqyrojnë më mënyrën se si këto fenomene zhvillohen sot, veçanërisht në rastet që prekin fëmijët. Për këtë arsye, ai vuri theksin te domosdoshmëria e rishikimit të pjesëve përkatëse të Kodit Penal dhe harmonizimit të tyre me natyrën e re të kërcënimeve digjitale, si pjesë e reformës së gjerë të parashikuar në Strategjinë Kombëtare të Sigurisë Kibernetike 2025–2030.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro nënvizoi rolin e edukimit digjital dhe rëndësinë e ekuilibrave të shëndetshëm në përdorimin e teknologjisë, duke vënë theksin te bashkëpunimi mes shkollës, prindërve dhe institucioneve, si një element i domosdoshëm për mirëqenien e fëmijëve në hapësirën online.
Institucionet pjesëmarrëse identifikuan qartë fushat ku kërkohet ndërhyrje praktike, nga mekanizmat e raportimit, te roli i shkollave dhe përshtatja e dispozitave ligjore. Hapat e radhës do të orientohen drejt zbatimit konkret të këtyre masave, me synim mbrojtjen e fëmijëve në botën digjitale.
