Në kuadër të procesit të hartimit të projektligjit “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike zhvilloi një sërë takimesh konsultuese me përfaqësues nga sektori financiar , fintech dhe mikrofinanciar, me ofrues të shërbimeve të besuara, si dhe me institucione publike që ofrojnë shërbime digjitale dhe që parashikohet të jenë palë të përfshira në zbatimin e këtij ligji.
Projektligji i ri synon të modernizojë kuadrin ekzistues ligjor për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, duke e përafruar plotësisht me rregulloren eIDAS të Bashkimit Evropian. Ai parashikon krijimin e një kuadri të plotë rregullator për identifikimin elektronik, futjen e portofolit të identitetit digjital si një mjet i ri, i sigurt dhe i ndërveprueshëm për qytetarët dhe institucionet, si dhe zgjerimin e shërbimeve të besuara, përfshirë nënshkrimin elektronik, vulosjen, arkivimin dhe verifikimin e të dhënave digjitale.
Portofoli i identitetit digjital, i konceptuar si një risi në këtë projektligj, do t’u mundësojë qytetarëve të ruajnë dhe ndajnë të dhënat e tyre personale në mënyrë të sigurt, të nënshkruajnë dhe vulosin dokumente në formë elektronike, të aksesojnë shërbime publike dhe private si brenda ashtu edhe jashtë vendit dhe të menaxhojnë ndërveprimet e tyre digjitale me transparencë dhe kontroll të plotë.
Këto konsultime synuan të mbledhin mendime, komente dhe sugjerime konkrete nga palët e interesuara për të ndihmuar në përmirësimin e draftit përfundimtar dhe garantimin e zbatueshmërisë së tij në praktikë. Kontributet e marra gjatë këtij procesi do të shërbejnë si një vlerë e shtuar për ndërtimin e një kuadri ligjor të besueshëm, funksional dhe të përputhshëm me zhvillimet teknologjike dhe standardet evropiane.