“Digital Security Channel Bootcamp”/ Tafa: Shqipëria Ndër Vendet e Para që Zbaton Rregulloren eIDAS 2.0 në Rajon

Drejtori i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, z. Igli Tafa, mori pjesë në aktivitetin “Digital Security Channel Bootcamp” për Rajonin e Evropës Lindore, Adriatikut, Turqisë dhe Greqisë, një platformë e organizuar nga Entrust, e cila mblodhi partnerë nga disa shtete evropiane për të diskutuar zgjidhje të avancuara në fushën e identifikimit elektronik dhe shërbimeve të besuara.
Ky event shërbeu si një pikë takimi për forcimin e rrjeteve profesionale dhe shkëmbimin e përvojave në një fushë me rëndësi strategjike. Në këtë kontekst, z. Tafa theksoi se Shqipëria ka ndërmarrë hapa të jashtëzakonshëm në drejtim të digjitalizimit, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Ai bëri me dije se, përveç ligjit të ri për sigurinë kibernetike, shumë shpejt do të miratohet edhe ligji për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara, i cili është ndërtuar mbi rregulloren eIDAS 2.0.
“Me këtë ligj të ri, Shqipëria pozicionohet si një vend lider, ndërkohë që shumë shtete evropiane ende operojnë me direktivën e vjetër. Kjo krijon një terren të favorshëm për investime, biznese të reja dhe zhvillimin e shërbimeve që lidhen me vlerësimin e konformitetit të sigurisë dhe të shërbimeve të besuara,” – u shpreh ai.
Z. Tafa nënvizoi gjithashtu se vendi ynë është në procesin e lancimit të metodologjisë dhe skemës evropiane për vlerësimin e konformitetit në fushën e sigurisë, duke ofruar një mundësi konkrete për kompanitë evropiane që të operojnë në një mjedis ku digjitalizimi dhe siguria janë tashmë pjesë thelbësore e vizionit të integruar të qeverisë shqiptare.
Ftesë për konsultim publik