Forumi One Tech nga One Albania bashkoi ekspertë të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike për të diskutuar mbi mbrojtjen kibernetike dhe sfidat e ardhshme. Ky event ofroi një mundësi të vlefshme për ndarjen e praktikave dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë dixhitale në vend.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i AKSK, Igli Tafa, theksoi rëndësinë e kuadrit të ri ligjor të sigurisë kibernetike që përfshin metodologji të avancuara për identifikimin dhe menaxhimin e riskut. Ai gjithashtu përmendi projektin e ardhshëm të Open Banking, një iniciativë që synon të modernizojë sektorin financiar dhe të mbështesë operatorët financiarë përmes legjislacionit të përmirësuar. Këto masa përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt një infrastrukture dixhitale më të sigurt dhe të qëndrueshme në Shqipëri.
Z. Tafa theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim me shkollat profesionale dhe universitetet për të krijuar programe që pajisin të rinjtë me aftësi profesionale, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve dhe plotësimin e boshllëqeve ekzistuese në fushën e sigurisë kibernetike. Ai vuri në dukje se Akademia e AKSK është një prioritet për ofrimin e mundësive të reja edukimi dhe trajnimi për talentet e reja.
#SiguriaKibernetike #AKSK