Firmoset Marrëveshja për Sigurinë Kibernetike midis Shqipërisë dhe Italisë

Tiranë – Një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së përbashkët digjitale u hodh me nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit midis Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) të Shqipërisë, z. Igli Tafa, dhe homologut të tij italian, z. Bruno Frattasi, Drejtor i Agjencisë Italiane për Sigurinë Kibernetike.

Kjo marrëveshje strategjike synon të forcojë bashkëpunimin në fusha kyçe, duke përfshirë shkëmbimin e informacionit mbi kërcënimet kibernetike, ndarjen e praktikave më të mira dhe forcimin e kapaciteteve teknologjike, duke përfituar nga ekspertiza dhe përvojat e të dyja vendeve. Ajo gjithashtu përfshin parandalimin dhe menaxhimin e incidenteve kibernetike, për të minimizuar rrezikun nga kërcënimet gjithnjë në rritje, si dhe zhvillimin e projekteve strategjike të përbashkëta, për të mbështetur qëndrueshmërinë e infrastrukturave kritike në rajonin adriatik.

Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, duke deklaruar: “Sot është një ditë e rëndësishme për vendin tonë, pasi arritëm të nënshkruajmë marrëveshjen e bashkëpunimit me shtetin italian për përmirësimin e hapësirës kibernetike të të dy vendeve. Ky bashkëpunim do të kontribuojë në ndarjen e përvojave dhe kërcënimeve kibernetike, të cilat tashmë janë pa shtetësi. Ndihma e përbashkët midis Italisë dhe Shqipërisë pritet të sjellë përmirësime të ndjeshme në sigurinë kibernetike të të dyja vendeve.”

Ky bashkëpunim përfaqëson një hap thelbësor në rritjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së infrastrukturave digjitale të Shqipërisë dhe Italisë, duke konsoliduar marrëdhëniet e forta dypalëshe dhe krijuar një front të përbashkët përballë sfidave kibernetike globale.

 

 

Trajnimi i Higjienës Kibernetike në Korçë
AKSK