Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike në bashkëpunim me DCAF, OSBE-në, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Shoqatën Shqiptare të Mikrofinancimit, One Telecommunications organizuan eventin inovativ më 19 – 21 Prill, 2022 “Rajonal Cyber Camp Albania”.
Gjatë 3 ditëve të aktivitetit, rreth 100 të rinj dhe 50 profesionistë nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi thelluan njohuritë e tyre dhe shkëmbyen praktikat më të mira kombëtare në fushën e sigurisë kibernetike.
Ky aktivitet synon krijimin e një rrjeti midis të rinjve, institucioneve dhe palëve të tjera të interesuara për të shkëmbyer përvojat dhe praktikat më të mira, të cilat do të shërbejnë si një mundësi për të rritur bashkëpunimin rajonal të sigurisë kibernetike në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Regional Cyber Camp synon të theksojë nga njëra anë rëndësinë e edukimit dhe orientimit drejt profileve të sigurisë kibernetike të të rinjve në fazat e hershme të studimeve dhe nga ana tjetër, synon ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimit të komuniteteve për sigurinë kibernetike, duke qenë i favorshëm për një mjedis kibernetik më të sigurt rajonal.