Ditën e djeshme, më datë 25 Dhjetor, AKCESK është njoftuar për sulme kibernetike të ndodhura në kompaninë e telefonisë ONE dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Menjëherë pas njoftimit të marrë, AKCESK ngriti grupe ekspertesh për të asistuar nga afër institucionet në menaxhimin e sulmit kibernetik.
Këto infrastruktura, sipas legjislacionit në fuqi nuk janë aktualisht të klasifikuara si infrastrukturë kritike ose të rëndësishme të informacionit.
Përgjatë këtyre dy ditëve, ekspertë të AKCESK dhe AKEP në koordinim me ekipet përgjegjëse të institucioneve po punojnë për rimëkëmbjen e sistemeve të prekura, si dhe analizimin e taktikave, teknikave dhe procedurave të përdorura nga aktorët e sulmit. Gjiithashtu, vlen të theksohet se sulmet nuk janë të iniciuar nga IP shqiptare.
AKCESK, është duke koordinuar punën edhe me partnerët ndërkombëtar për të suportuar institucionet në kryerjen e një analize të thelluar mbi evidentimin e pasojave që sulmi mund të ketë shkaktuar në këto infrastruktura në një kohë sa më të shpejtë. Njëkohësisht janë ndarë në kohë reale me të gjitha infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit, gjetjet e deritanishme nga gjurmët e aktoreve të sulmit të evidentuara me qëllim parandalimin e sulmeve të ngjashme kibernetike në këto infrastruktura.
Bashkëpunimi i koordinuar nga AKCESK me angazhimin e institucioneve publike, infrastrukturave kritike dhe partnereve ndërkombëtar tregon një vullnet të përbashkët për të ndërmarrë masa efektive ndaj sulmeve kibernetike si dhe për të forcuar sigurinë kibernetike në nivel kombëtar.