Në datën 18 Nëntor 2019, në kuadër të 30-vjetorit të Konventës për të Drejtat e Fëmijëve dhe ditës Evropiane “Për mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi dhe abuzimi seksual”, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve, si dhe Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike (AKCESK), në partneritet të ngushtë me Unicef Albania, organizuan në qendrën COD pranë Kryeministrisë, aktivitetin për rritjen e ndërgjegjësimit dhe edukimin e fëmijëve mbi përdorimin e internetit të sigurtë.
Në takimin e moderuar nga vetë nxënësit e shkollave 9-vjeçare “Kosova”, “26 Nëntori”, “Vasil Shanto”, të trajnuar më parë nga AKCESK, që gëzojnë tashmë statusin e “Peer educators”, informuan bashkëmoshatarët e tjerë për rreziqet që mund të hasin në internetit, se si mund të parandalojnë situata të papërshtatshme e të dëmshme online dhe ku të raportojnë në raste situatash të tilla. Fëmijët ndanë me bashkëmoshatarët e tyre aplikacionin ‘ichild Quiz’ publikuar në faqen zyrtare të aksk.gov.al, ku nëpërmjet lojës ata testojnë aftësitë e tyre në lidhje me çështjet e internetit të sigurt.
Diskutimet në formë bashkëbisedimi përcollën mesazhe sensibilizuese dhe orientuan nxënësit për ndihmë në raste abuzimi, dhune, apo shfrytëzimi ndaj tyre.