AKSK krijon Laboratorin e Sigurisë Kibernetike: Platformë Simuluese për Trajnim dhe Përgatitje ndaj Kërcënimeve Digjitale

Laboratori i Sigurisë Kibernetike, i krijuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK), është një platformë trajnimi e avancuar e dedikuar për SOC-un Kombëtar, SOC-et Sektoriale dhe institucionet që përballen me sfidat e sigurisë kibernetike, si në Shqipëri ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Ky laborator ofron një mjedis simulues inovativ për trajtimin dhe analizimin e sulmeve kibernetike ndaj infrastrukturave kritike, me fokus të veçantë te sektori i energjisë dhe teknologjitë IoT të qyteteve inteligjente. Duke përdorur skenarë realistë, pjesëmarrësit përfshihen në një “luftë” kibernetike midis:

– Red Team (Ekipi i Sulmit): Synon të ndërhyjë dhe të marrë kontrollin e sistemeve.
– Blue Team (Ekipi i Mbrojtjes): Përgjegjës për zbulimin, ndalimin e sulmeve dhe rikthimin e operacioneve në normalitet.

Laboratori përfshin disa komponentë të rëndësishëm që kontribuojnë në aftësimin profesional të pjesëmarrësve:

1. Reagim ndaj Incidenteve (Incident Response): Trajnime praktike për të identifikuar, izoluar dhe neutralizuar kërcënimet në kohë reale.
2. Analizë Forensike: Pjesëmarrësit analizojnë gjurmët e sulmeve pas çdo simulimi, duke mësuar teknika për zbulimin dhe parandalimin e tyre.
3. Cyber Escape Room: Një eksperiencë argëtuese dhe edukative që sfidon pjesëmarrësit të zgjidhin probleme të sigurisë brenda një kohe të caktuar për të “shpëtuar” nga një skenar kibernetik.

Me këtë qasje gjithëpërfshirëse, laboratori synon të përgatisë specialistët e sigurisë kibernetike për sfidat që kalojnë kufijtë kombëtarë, duke rritur aftësitë dhe ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen e infrastrukturave kritike.

Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të rezistencës kibernetike në Shqipëri dhe përgatitjes së ekipeve për t’u përballur me sfidat globale në një botë gjithnjë e më dixhitale.

Trajnim mbi Higjienën Kibernetike dhe Cyber Drill në Shkodër