Z. Tafa ka një karrierë të larmishme akademike duke shërbyer si lektor në Universitetin Politeknik të Tiranës në fushën e teknologjisë dhe informacionit.
Me mbi 16 vite përvojë në fushën akademike dhe të sigurisë së informacionit, Z. Tafa ka dhënë kontributin e tij në avancimin e kërkimit dhe zhvillimin e teknologjive të reja për të adresuar kërcënimet në këtë fushë. Ai ka qenë drejtues në shume projekte, ka shërbyer si këshilltar për organizata të ndryshme, si dhe ka kontribuar në panele dhe konferenca ndërkombëtare.
Që prej tetorit 2022, Z. Tafa shërben si Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, duke kontribuar në zhvillimin e politikave dhe strategjive për mbrojtjen e infrastrukturave të informacionit nga kërcënimet dhe sulmet kibernetike.
Nën këtë lidership, AKSK ka ndërmarrë një sërë iniciativash të rëndësishme si në nivel strategjik ashtu edhe operacional duke e renditur Shqipërinë ndër vendet e para, që kanë adoptuar direktivën NIS2.
Një prej treguesve më pozitivë gjatë drejtimit të tij është forcimi i bashkëpunimit me partnerët strategjikë si Departamenti Amerikan i Shtetit me mbështetjen e të cilëve janë realizuar një sërë projektesh për rritjen e kapaciteteve të ekspertëve në fushën e sigurisë kibernetike. AKSK punon ngushtë me organizatat ndërkombëtare si NATO, OSBE, OKB, në përmbushje të angazhimeve të fushës. Është shënuar gjithashtu një avancim në iniciativat për forcimin e bashkëpunimit me partnerët e rajonit të Ballkanit Perëndimor, dhe jo vetëm, për ngritjen e platfomave të komunikimit me qëllimin e ndërtimit të një klime dhe hapësire rajonale, të besueshme në sigurinë e informacionit. Nën drejtimin e tij AKSK ka intensifikuar bashkëpunimin me institucionet publike dhe private brenda vendit nëpërmjet organizimit të trajnimeve periodike dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të shumta të bashkëpunimit për ndarjen e informacioneve, ekspertizës dhe praktikave më të mira.
Pjesë e arritjeve të AKSK, është anëtarësimi që nga Maji i vitit 2023 në iniciativën globale, Counter Ransomware Initiative (CRI) drejtuar nga SHBA, e cila ka qëllim mbrojtjen nga Ransomware në terma të rritjes së kapaciteteve, teknologjisë dhe procedurave.
Me angazhimin e Z. Tafa, për të arritur qëllimet strategjike të Shqipërisë në një mjedis ku teknologjia e informacionit po ndryshon me hapa sfidues, u arrit krijimi i një strukture të re të Autoritetit, e cila përfshin ekipe të specializuara dhe të trajnuara në fushën e sigurisë kibernetike, të afta të identifikojnë dhe të përballojnë kërcënimet në kohë reale si dhe të mbrojnë sistemet kritike. Tashmë AKSK jo vetëm përmbush standardet më të larta të sigurisë kibernetike, por gjithashtu vendoset në pararojë të përballjes me sfidat e reja në këtë fushë, duke siguruar një të ardhme më të sigurt digjitale të Shqipërisë.