Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, AKSK organizoi një aktivitet ku u diskutua rëndësia e mbrojtjes së fëmijëve në hapësirën online dhe nevoja për përmirësimin e kuadrit ligjor. Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i AKSK, z. Igli Tafa, nënvizoi se nga takimet me aktorët kryesorë, si Policia e Shtetit, Ministria e Arsimit, Ministria e Mbrojtjes dhe institucione të tjera, është nxjerrë nevoja për ndryshime ligjore.
“Është koha që bullizmi kibernetik, shantazhi dhe format e tjera të ngacmimit online të trajtohen si vepra penale. Këto masa janë të domosdoshme për të parandaluar akte të rënda dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për fëmijët tanë,” theksoi z. Tafa. Ai bëri thirrje për raportimin e menjëhershëm të rasteve në platformën e dedikuar të AKSK-së, duke siguruar se çdo rast trajtohet me konfidencialitetin dhe seriozitetin maksimal.
Takimi, ku morën pjesë partnerë të AKSK dhe nxënës nga shkolla të Tiranës, shërbeu si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërgjegjësimit mbi rëndësinë e përdorimit të sigurt të internetit. AKSK mbetet e përkushtuar që përmes strategjive dhe bashkëpunimeve me institucionet të mbrojë të ardhmen dhe mirëqenien e fëmijëve dhe të rinjve.