Ditën e sotme, datë 01 Shkurt 2024, AKCESK është njoftuar për një sulm kibernetik të ndodhur tek INSTAT. Menjëherë pas njoftimit të marrë, AKCESK ngriti nje grup ekspertesh si dhe koordinoi punën me Policine e Shtetit për të asistuar nga afër institucionin në menaxhimin e sulmit kibernetik.
Sipas legjislacionit në fuqi, infrastrukturat e informacionit të zotëruara nga INSTAT, nuk janë aktualisht të klasifikuara si infrastrukturë kritike ose të rëndësishme të informacionit dhe nuk janë nën monitorimin dhe kontrollin e AKCESK. Këto infrastruktura janë të hostuara dhe menaxhohen në ambientet e këtij institucioni.
Aktualisht AKCESK në koordinim me ekipin përgjegjës të institucionit po punojnë për rimëkëmbjen e sistemeve të prekura, si dhe analizimin e taktikave, teknikave dhe procedurave të përdorura nga aktorët e sulmit.
Që në momentet e para të kësaj ngjarje, krahas punës pranë INSTAT, AKCESK i solli në vëmendje të gjithe infrastrukturave kritike dhe të rëndesishme të informacionit, marrjen e masave, duke ndarë gjetjet e deritanishme të evidentuara nga gjurmët e sulmit të sotshëm, me qëllim parandalimin e sulmeve të ngjashme në infrastrukturat e tjera.