Ngjarjet kibernetike në të cilat po kalon Shqipëria së fundmi, mblodhën në një tryezë diskutimesh ditën e djeshme, datë 23 janar, AKCESK dhe drejtuesit e lartë të institucioneve të sektorit financiar.
Në takim, Koordinatori Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, z. Igli Tafa, theksoi rëndësinë e rolit të investimeve në këtë sektor të infrastrukturave kritike për rritjen e sigurisë kibernetike. Të pranishmit u njohën me domosdoshmërinë e forcimit dhe mbrojtjes kibernetike të institucioneve duke u fokusuar në disa hapa:
Investime në Teknologji – nevoja për përdorimin e teknologjive të fundit të mbrojtjeës kibernetike për të mbrojtur informacionin dhe të dhënat e klientëve.
Masat Operacionale – ngritja e standarteve të sigurisë së përditshme të institucionit nga ana operacionale dhe administrative sipas referencave NIST ose ISO 27001.
Niveli Menaxherial – roli i lidership-it në detyrimin e institucionit për të investuar në ngritjen e ndërgjegjësimin e stafit në kuadër të sigurisë kibernetike, në përcaktimin e buxhetit në fushën e sigurisë kibernetike si edhe në përcaktimin e rrezikut kibernetik në mënyrë të vazhdueshme.
Rritja e Kapaciteteve – Investim në rritjen profesionale të eksperteve dhe mbulimin e vakancave të evidentuara në fushën e sigurisë kibernetike.
Në takim u theksua nevoja e rritjes së bashkëpunimit mes AKCESK dhe sektorit financiar për të ndarë sa më shumë informacion dhe për të ndërmarrë masat e duhura, në kohën e duhur, që sigurojnë një ekosistem të sigurtë kibernetik. Aty u theksua dhe nevoja për një qasje të vazhdueshme dhe aktive, në bashkëpunim konkret, për të adresuar sfidat kibernetike në të ardhmen.
AKCESK kërkoi që sektori financiar të bashkërendojë punën me veprime konkrete për implementimin e masave të shtuara të sigurisë për vitin 2024.