U zhvillua dita e parë e seminarit 3-ditor “Senior Policymaker Cyber Strategy Planning”, i cili organizohet nga Autoriteti Kombëtar për CESK në bashkëpunim me Departamentin Amerikan të Shtetit dhe MITRE Corporation.
Qëllimi i seminarit 3- ditor është finalizimi i zhvillimit të kornizave të një Strategjie Kombëtare për Sigurinë Kibernetike, e cila përfshin hartimin e qëllimeve të politikës, identifikimin e iniciativave mbështetëse për secilin qëllim, identifikimin e aktorëve për secilën iniciativë dhe rekomandimet për sfidat dhe tejkalimin e tyre për implementimin e aktiviteteve.
Aktiviteti u hap nga Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë SHTZ Yuri Kim, e cila në fjalën e saj theksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundrejt Shqipërisë për rritjen e nivelit të sigurisë kibernetike. Konkretisht, ajo u shpreh: “Ne kemi qenë dhe do të vazhdojmë të jemi këtu për t’iu mbështetur në sfidat tuaja.”
Gjithashtu, ajo konkretizoi mbështetjen financiare të Departamentit Amerikan të Shtetit në lidhje me adresimin e disa nevojave të Shqipërisë në fushën e sigurisë kibernetike.
Më pas, Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike, njëkohësisht Koordinator Kombëtar për Sigurinë Kibernetike Z. Igli Tafa, falenderoi Departamentin Amerikan të Shtetit, Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe MITRE Corporation për organizimin e seminarit.
Gjithashtu, drejtori i përgjithshëm i AKCESK prezantoi vizionin e ri strategjik të Autoritetit, i cili mbështetet në 5 shtylla kryesore, si dhe shprehu angazhimin e institucioneve shqiptare për bashkërendim dhe bashkëpunim në krijimin e një mjedisi kibernetik të sigurt. Në këtë kuadër, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit evidentoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim me partnerët strategjikë kombëtarë dhe ndërkombëtarë për forcimin e qëndrueshmërisë kibernetike në vend.
Në përfundim të fjalës së tij, drejtori i përgjithshëm i AKCESK i ftoi pjesëmarrësit në konferencën “Sfidat e sigurisë kibernetike në Shqipëri”, e cila zhvillohet në datën 7 Shkurt, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Internetit të Sigurt. Konferenca dëshmon angazhimet e Qeverisë për rritjen dhe forcimin e sigurisë kibernetike, nëpërmjet ngritjes së mekanizmave dhe gjithëpërfshirjes në qeverisjen kibernetike, bazuar në parimin e “Ndërtimit të Besimit”.
Në të njëjtën linjë, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit Znj.Mirlinda Karçanaj, shprehu mirënjohjen e saj për të gjitha institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe kompanisë Microsoft për mbështetjen e vazhdueshme dhe aktive në përgjigjen ndaj incidenteve kibernetike, që targetuan infrastrukturat qeveritare të informacionit. Ajo theksoi gjithashtu nevojën për bashkëpunim të të gjithë aktorëve me AKCESK për të koordinuar punën dhe përgjigjur incidenteve potenciale.
Më pas, seminari, nën drejtimin e MITRE Corporation, u fokusua në rolin e secilit institucion të sigurisë dhe të mbrojtjes në hartimin e strategjive të sigurisë dhe politikave për menaxhimin e çështjeve të sigurisë kibernetike, si dhe harmonizimin e planeve strategjike me praktikat më të mira të US.